E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vau i Dejës, Topalli: Rama, nën ethet e humbjes



Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, u prit nga mijëra qytetarë të Vaut të Dejës, ku përpara tyre ajo lëshoi akuza të ashpra ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. Topalli tha se Rama ka vendosur të ikë që në momentin që vendosi të mos kandidonte për deputet. “Unë dua t’i them prej këtu, prej bashkisë suaj, kryetarit të Bashkisë së Tiranës: Nga momenti që nuk pranove të hyje në listën e deputetëve, je çuar për të ikur. Nga momenti që përçmon të varfrit, je çuar për të ikur. Nga momenti që nuk beson te njeri, je çuar për të ikur. Nga momenti që u thua studentëve se nuk i njeh diplomat e tyre, je çuar për të ikur. Ai është çuar për të ikur që kur votoi kundër rritjes së rrogave”, - tha Topalli. Ajo tha se mes PD-së dhe PS-së ka një ndryshim të madh, duke thënë më tej se Rama hapi fushatën me djemtë e Bllokut, të cilët i dërgoi në Qytetin Studenti dhe kjo, sipas saj, është shenja që PD-ja do të korrë fitoren e vitit 1992. “Ne pamë se kryetari i Bashkisë së Tiranës hapi fushatën elektorale të Partisë Socialiste te Qyteti Studenti. Djemtë e Bllokut u kthyen te fusha e Vaterlosë e etërve të tyre të dhjetorit të vitit 1990, ndaj edhe unë dëshiroj t’i them sot këtu, nga bashkia juaj, nga çdo fshat, nga çdo komunë, se fitorja e 28 qershorit do të jetë si fitorja e marsit të vitit 1992, se fitorja e 28 qershorit do të jetë më e madhe dhe më e thellë se asnjëherë gjatë kësaj periudhe”, - tha më tej Topalli. Kryetarja e Kuvendit foli më tej në lidhje me reformat e kësaj qeverie, shndërrimin e vendit si dhe tha se sot qytetarët shqiptarë ndihen krenarë që janë të tillë. “Kur më pyesin: Cila është gjëja më e rëndësishme dhe cili ka qenë sadisfaksioni më i madh që ke pasur gjatë kësaj periudhe? Unë u them: Ëndrra e babait tim, është ëndrra e xhaxhallarëve të mi, është ëndrra e gjyshërve të mi, po ashtu edhe juaja, e atyre që vuajtën në burgje dhe në internime, sepse besuan te liria, sepse besuan tek e drejta, sepse besuan te vlera. Kjo ëndërr ishte që Shqipëria të shkonte drejt Perëndimit”, - tha ajo, e cila kërkoi nga Vau i Dejës që të votohet PD-ja si garanci për ecjen para të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›