Oketa, Clapper: E ardhmja e Shqipërisë, në BE
SHBA-ja vlerëson se e ardhmja e të gjithë rajonit, përfshi dhe Shqipërinë, është integrimi në NATO dhe BE. Ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, priti dje nënsekretarin për Mbrojtjen të SHBA-së për Inteligjencën, z. James R. Clapper, i cili ka ardhur për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Oketa e njohu nënsekretarin Clapper për misionet tona paqeruajtëse në Afganistan dhe rishprehu edhe një herë angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kontributeve në krah të Aleancës. “Ashtu siç biseduam edhe me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Gates, gjatë takimit që patëm pak kohë më parë në Pentagon, sa kohë që Aleanca do të qëndrojë në Afganistan, po aq kohë edhe Shqipëria do të jetë pjesë e këtij kontributi”, - tha Oketa. Duke folur për objektivin tjetër madhor të Ministrisë së Mbrojtjes, atë të asgjësimit të municioneve të tepërta në Shqipëri, ministri Oketa theksoi se kjo çështje do të vijojë të përbëjë një angazhim madhor për institucionin që ai drejton. Nënsekretari amerikan, Clapper, pasi i uroi Oketës anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e përgëzoi ministrin e Mbrojtjes për punën dhe arritjet gjatë kësaj periudhe, në procesin e demilitarizimit të municioneve në vend etj. Clapper vlerësoi kontributet e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Irak etj. dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e tyre.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në vlerësimin e situatës së sigurisë në rajon. Nënsekretari Clapper vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë si një faktor sigurie dhe stabiliteti në rajon e më gjerë. Ministri Oketa vlerësoi bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh që Shqipëria ka ndërmarrë në këto vite, të cilit i kanë shërbyer edhe kontaktet e vazhdueshme që ai ka pasur me homologët e tij të të gjitha vendeve të rajonit. Oketa dhe Clapper gjatë takimit të tyre diskutuan për zhvillimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes në fushën e sigurisë.