E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili lë poliklinikat e lagjeve në skamje, qytetarët blejnë gjithçka privatisht

Mjekët: Punojmë në kushte të vështira dhe në mungesë totale të bazës materiale

Nëse ke probleme, e duhet të mjekohesh në një prej poliklinikave të kryeqytetit, duhet të përgatitesh që më parë, të blesh të gjitha mjetet që shërbejnë për tu mjekuar sepse në poliklinika mungojnë edhe shiringat apo pambuku.

Përpos kësaj kushtet e tjera në poliklinika janë në gjendje të mjerueshme sepse në disa prej këtyre institucioneve shëndetësore infrastruktura, apo fondet janë harruar që prej disa vitesh nga Ministria e Shëndetësisë. Edhe pse krerët e kësaj Ministrie e më konkretisht Ministri Vasili, është shprehur vazhdimisht se pacientët duhet të kryejnë vizita vetëm në poliklinikat e lagjeve duke mos u dyndur më në ambientet e QSUT-së, shefi I shëndetësisë në vend ka harruar një detaj tepër të rëndësishëm furnizimin me ilaçe, e me mjetet e domosdoshme për repartet e poliklinikave që në 70 për qind të rasteve janë vërtet në skamje. Madje poliklinikat në zonat periferike ka raste kur gjithë kohës i gjen me dyer të mbyllura pasi edhe vetë mjekët janë dorëzuar përpara faktit se mungesa e medikamenteve ndihmëse për rastet urgjente apo infrastruktura e cila në këto raste lë shumë për të dëshiruar, është në grahmat e fundit. Madje në shumë raste,  ky fakt është kthyer tashmë në një makth jo vetëm për pacientët por edhe për mjekët e infermieret.  Vetë mjekët e disa poliklinikave në kryeqytet thonë se ehe në rastet kur janë restauruar muret e jashtme të poliklinikave gjendja Brenda tyre është tepër problematike. Dritani, mjek në një prej poliklinikave e cila ndodhet në Rrugën e Dibrës thotë për gazetën SOT se kjo poliklinikë është lënë në gjendje të mjeruar nga Ministria e Shëndetësisë pa kushte e në mungesë të plotë mjetesh e medikamentesh që prej disa vitesh. Sipas këtij mjeku muret gjithë lagështirë vërtetojnë vetë këtë fakt dhe fakti më problematik është mungesa e mjeteve apo e aparaturave të specializuara të cilat edhe kur janë në këto institucione shëndetësore në shumicën e rasteve nuk funksionojnë, pasi kanë kohë me defekt apo të painstaluara për shkak të harresës apo neglizhimit nga specialistët. Ndërsa në poliklinikën e specialiteteve edhe pse kjo godinë nga pamja e jashtme të ofron një panoramë krejt ideale në brendësi mjekët në shumicën e rasteve nuk kanë mjetet e duhura për të kryer ekzaminimet e pacientëve.


Precedenti
Një tjetër problematikë jo vetëm për pacientët por edhe për vetë mjekët janë edhe kushtet e poliklinikave të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Sipas mjekëve të poliklinikave, në shumicën e institucioneve shëndetësore në lagjet përkatëse, nuk është  investuar si në aparatura ashtu edhe në infrastrukturë. Ndërkohë që asnjë prej qendrave shëndetësore nuk disponon një kompjuter apo internet, ku mjekët të punojnë apo të njihen me të rejat më të fundit. Sipas tyre shumicën e mjeteve i gjejnë në mënyre personale. Ndërsa porsa i përket fondeve për këto poliklinikave kanë qenë vetë mjekët që kanë deklaruar ditën e djeshme se edhe pse vetë Ministri Vasili ka dalë në deklarata se do të jepte fonde për rikonstruksionin e poliklinikave këto fonde duken sikur janë ngrirë në njëfarë mënyre nga vetë Ministria. Mjekët e poliklinikave kanë deklaruar gjithashtu se pagesat janë tejet të pamjaftueshme për profesorët të cilët sipas tyre duhet të punojnë vetëm në qendrën spitalore e jo më në poliklinika. Qendrat shëndetësore në periferi të Tiranës janë jashtë standardeve. Jo aq për infrastrukturën, sa për shërbimin që ofrojnë. Mungesë të energjisë elektrike, të ujit, shtretërve e aparaturave e moszbatim të orareve nga ana e mjekëve dhe pagesa nën dorë. Këto janë vetëm një pjesë e problemeve. Ndonëse reforma e shërbimit parësor është përfolur jo pak, probleme madhore hasen brenda perimetrit të kryeqytetit. Në këtë mënyrë vihet një pikëpyetje akoma më e madhe për qytetet e tjera të vendit. Mangësitë e theksuara i ka evidentuar së fundmi Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Gjithashtu në disa prej poliklinikave mungonte furnizimi me ujë ose në ato qendra që kishte ujë, ai nuk ishte i pijshëm, thuhet në raport. Në të theksohet se shërbimi shëndetësor në zonën e Bathores dhe të Babrrusë është i kufizuar në kohë. Të gjitha qendrat shëndetësore punonin deri në orën 14: 40 dhe 1 orë pasdite për kryerjen e injeksioneve. Vaksinimi i fëmijëve mbetet problem në këto zona, për shkak të shkallës së ulët të sensibilizimit të banorëve. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i tyre janë të pasiguruar e të pa pajisur me librezë shëndetësore.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›