E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaslav Klaus firmosi sot Traktatin e Lisbonës

PRAGE- Cekia ka firmosur sot Traktatin e Lisbonës. Vendimi i Vaslav Klaus për të ratifikuar këtë marrëveshje erdhi pasi, Gjykata Kushtetuese e Çekisë ka vendosur se Traktati i Lisbonës është në linjë me Kushtetutën e vendit, duke e hequr kështu pengesën e fundit për ratifikimin e dokumentit. Ndërkohë javën e kaluar në samitin e Bashkimit Evropian, Brukseli e plotësoi kërkesën e presidentit Klaus që Çekia të përjashtohet nga nënshkrimi i Kartës për të Drejtat Themelore, e cila u mundësonte gjermanëve të dëbuar nga Çekia pas Luftës së Dytë Botërore, që të pretendojnë kthimin e pronave të tyre.

Republika e Çekisë është vend i fundit i BE-së që ka ratifikuar traktatin, i cili duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare që të hyjë në fuqi.
Parlamenti çek e ka mbështetur marrëveshjen më herët, por presidenti Vaclav Klaus e priste vendimin e gjykatës para se të nënshkruante.

Pas dhjetë vjet negociatash, sfidash juridike dhe shumë kundërthënieve, vendimi i sotëm e hoqi pengesën e fundit ndaj ratifikimit të dokumentit.
I njohur si euroskeptik i madh, Klaus pohonte se traktati është në kundërshtim me sovranitetin e Çekisë.
Por muajin e kaluar pasi marrëveshja u ratifikua në referendumin e përsëritur në Irlandë, Klaus shtoi edhe një kërkesë, që vendi i tij të përjashtohet nga Karta e të Drejtave Themelore.

Shefi i diplomacisë franceze Bernard Kushner e akuzoi Klausin se po “shpik vështirësi”, por javën e kaluar Klaus tha se nuk do të bëjë më asnjë kërkesë të re.

Në reagimin e parë ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Jan Fisher tha se tani asgjë nuk qëndron në rrugën e ratifikimit, dhe shtoi se ai pret që Klaus ta nënshkruajë marrëveshjen.
Kryeministri britanik Gordon Braun tha se shpreson se Bashkimi Evropian do të ecë përpara dhe t’i lë pas vitet e debateve kushtetuese dhe institucionale.
Traktati i Lisbonës parashikon vendimmarrje më të shpejtë në bllokun, i cili pothuaj është dyfishuar në dy valët e zgjërimit.
Një shpresë tjetër është se traktati do t’i japë Evropës më shumë peshë në çështjet globale.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›