E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani fal Xhon Lenonin për komentin mbi Jezusin

Më në fund, përmes gazetës së tij, Vatikani deklaroi se e falte Xhon Lenonin për komentin ku vërente se "Bitëlls"-at qenë më të famshëm se Jezu Krishti, duke e cilësuar qëndrimin si "lajthitja" e një të riu të dehur nga suksesi i menjëhershëm. Komenti i bërë nga këngëtari i madh në një të përditshme të Londrës në vitin 1966 nervozoi të krishterët, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U arrit deri në atë pikë sa grupe njerëzish nisën të digjnin pirgje gjigande me albumet e "Bitëlls"-ve.

Por duket se koha shëron të gjitha plagët. "Krahasimi i bërë nga Xhon Lenon, i cili shkaktoi indinjatë të thellë veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas kaq vitesh tingëllon veç si lajthitja e një të riu anglez, i shtresës së klasës punëtore, i cili në një çast, krejt papritmas, u përball me doza shumë të mëdha suksesi, duke fituar popullaritet nga legjenda e Elvisit dhe rok en rollit", shkruhej dje në të përditshmen e Vatikanit, "Osservatore Romano".

Artikulli në fjalë, i shkruar me rastin e përvjetorit të 40-të të "Albumit të Bardhë" të grupit të famshëm, vazhdon me lëvdata për suksesin që arriti gjatë asaj kohe, por që edhe e ruan akoma. "Mbetet fakt që sot, 38 vjet pas shpërbërjes, këngët që mbajnë firmat e Lenonit dhe MekKartnit i kanë rezistuar në mënyrë të pabesueshme rrjedhës së kohës, duke u bërë burim frymëzimi për më shumë se një brez muzikantësh të popit", vazhdon artikulli.

Lenon u vra në Nju Jork në vitin 1980. Lajmi i vdekjes së Xhon Lenon nuk preku vetëm botën e rokut, lamtumira e tij u përkufizua si "funerali i një brezi të tërë". U kthye në heroin e klasës punëtore, në simbolin e paqes, në promovuesin e protestës së shoqërisë së asaj kohe. Por mbeti, mbi të gjitha, muzikant me frymëzim të pazakontë e i aftë për ngacmime poetike tepër të fuqishme. Ditën që pasoi vdekjen e Lenon, autoriteteve iu desh të merrnin masa për të mbajtur nën kontroll tufat e pafundme të njerëzve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›