Numri dy i Bankës Botërore: Do të financojmë rehabilitimin e Nënshkodrës
Premtimi
Zv/presidenti i Bankës Botërore, z.Philippe Le Houreou, ka inspektuar dje zonat e përmbytura në Shkodër, nga derdhja e Vaut të Dejës deri në derdhjen e Bunës. Ai ka qenë i shoqëruar në terren nga ministri i Brendshëm, z.Lulzim Basha. Numri dy i Bankës Botërore, z.Philippe Le Houreou, ka deklaruar se ndërhyrja e institucionit që përfaqëson fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat dhe qytetarëve, por edhe të aseteve publike. Më tej ai bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj, që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më. “Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjeneruar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik. Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim eficent të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficente”, u shpreh z.Le Houreou. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, falënderoi zv/presidentin e Bankës Botërore, z.Le Houreou, për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër, e cila do të marrë jetë duke filluar nga java që vjen me dërgimin e grupit të ekspertëve. Më pas zv.presidenti Le Houreou ka zhvilluar një takim në Prefekturën e Shkodrës me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile që po drejton operacionet në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet.
#