Grupi që menaxhoi kaskadat e Drinit, KESH ndalon shkarkimet në tre HEC-et
Monitorimi
Kush janë zyrtarët dhe specialistët që u morën me emergjencën. Situata, pozitive
Për më shumë se dy javë, në media dhe deklarata është lakuar në forma të ndryshme puna e grupit të emergjencës, ngritur me urdhrin e ministrit Prifti, pas rrezikut nga tejmbushja e Fierzës. Të mbledhur për herë të në fund të muajit dhjetor 2009, grupi i emergjencës drejtohet nga zv.ministri i Energjetikës, Leonard Beqiri, i cili nuk kishte shumë kohë i emëruar në këtë post. Përbërja e grupit është me 11 anëtarë, që përveç zv.ministrit-kryetar, të gjithë të tjerët janë specialistë të energjetikës, por shumë pak të digave. Funksioni i tyre pushon po me urdhër të ministrit, në rast se situata normalizohet dhe futet në rrjedhën e zakonshme. Grupi i emergjencës për digat mblidhet çdo tri ditë në ministri dhe ku merren vendime mbi hapat që duhet të marrin. Padyshim që pjesë e grupit është edhe kreu i KESH-it, Muharem Stojku, si dhe kreu i OST-së, bashkë me shefin e Drejtorisë Operacionale. Në grupin e punës nuk mungon as përfaqësuesi i OSSH-së, inxhinieri Luan Qemo. Ndërkaq, nga ky grup emergjence mësohet fakti se situata në kaskadën e Drinit po shkon drejt stabilitetit. Kështu, Korporata Elektroenergjetike ka ndërprerë shkarkimet edhe nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, një ditë pasi të njëjtën gjë kishte bërë me Fierzën dhe Komanin. Sipas njoftimit të Ministrisë së Energjetikës, të dhënat deri në mesditë tregojnë se Fierza ka arritur në nivelin e 289.88 metra, ndërsa prurjet arrijnë deri në 300 metra kub në sekondë.
Në Koman, niveli i ujit ka rënë në 170.75 metra, ndërsa prurjet janë 170 metra kub në sekondë. Ndërkaq, po dje drejtori i KESH-it ka pritur në zyrë përfaqësuesit e Korporatës Elektroenergjetike kosovare (KEK-u), duke konfirmuar edhe një herë bashkëpunimin si dhe rrëzimin e pretendimeve se Shqipëria ka blerë energji në kohën kur HEC-et po derdheshin.
#