Vazhdon shqetësimi për borxhin grek

Shqetësimet rreth eurozonës u shtuan pas njoftimit se besimi i bizneseve në Gjermani ra gjatë shtatorit, për të tretin muaj me radhë.
Ndërkohë, te investitorët po forcohet bindja se Greqia nuk do të jetë në gjendje të paguajë këstin e borxhit.
Të gjitha këto u shtohen shqetësimeve lidhur me ngadalësimin e ekonomisë amerikane.
Tregjet botërore të aksioneve mbeten të paqëndrueshme, ndërkohë që te investitorët po forcohet bindja se Greqia nuk do të mund ta paguajë borxhin.
Ekspertët thonë se kjo mund ta rëndojë më tej rënien ekonomike globale.
Një grevë e sistemit të metrosë në Athinë gjithashtu po ushtron trysni mbi qeverinë greke, ndërkohë që punonjësit protestojnë ndaj masave të ashpra shtrënguese.
Edhe policia e Athinës protestoi kundër shkurtimeve në radhët e saj, me anë të një banderole ku shkruhej: “Policia mban zi”.
Investitorët kanë pritur më kot për lajmet se Greqia do të marrë në kohë këstin tjetër të paketës së shpëtimit, për të shmangur mospagimin e borxhit muajin tjetër.
Nëse Greqia nuk arrin të paguajë, bankat në të gjithë Evropën mund të humbasin paratë që investuan në bonot greke dhe kjo mund të çojë në një recesion në Evropë si dhe mund të përkeqësojë problemet ekonomike në Shtetet e Bashkuara.