Vazhdon tregu monopol i sigurimeve, agjencitë e mbikëqyrjes indiferente ndaj grabitjes së qytetarëve
Kompanitë e sigurimeve që operojnë në treg vijojnë të aplikojnë çmime monopolistike për pjesën më të madhe të policave të sigurimit. Më problematik mbetet tregu i sigurimeve të detyrueshme, për të cilin të gjitha kompanitë kanë të njëjtin çmim. Pak kohë më parë
Autoriteti i Konkurrencës kreu një hetim në tregun e sigurimeve për policën e detyruar TPL, sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë. Pas inspektimeve është konstatuar se kjo policë është kthyer në monopol nga kompanitë që operojnë në vend. Çmimi është caktuar fiks dhe pas sugjerimit të Autoritetit të Konkurrencës për rregullimin e tregut për këtë produkt vijon të mbetet i njëjtë. Nga ana tjetër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në një raport për tregun e sigurimeve publikon një paradoks. Sipas studimit, të ardhurat nga primet e sigurimit në katër muajt e parë të vitit janë rritur me 3 për qind, ndërsa numri i kontratave të lidhura me këto kompani është ulur me 71.81 për qind.
Raporti
Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar - prill 2010 arritën rreth 2,732 milionë lekë, ose rreth 3 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar-prill 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 189,557 duke shënuar një ulje prej rreth 17.81 për qind krahasuar me janar - prill 2009, thuhet në raportin e AMF. Sipas të njëjtave burime tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 91 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 53 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 47për qind të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.
Sigurimet e detyrueshme
Sipas raportit të AMF primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 1,278 milionë lekë, ose rreth 13 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa produkti Sigurim Kufitar gjatë periudhës janar - prill 2010 pati një rritje prej 19.56 % për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 18.24 % krahasuar me janar - prill 2009. Raporti pasqyron se produkti TPL e brendshme gjatë periudhës janar - prill 2010 pati një ulje prej 2.5 për qind për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një ulje prej 0.59 % krahasuar me janar - prill 2009. Ndërsa produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 41.19 % për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar - prill 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 18.46 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Sigurimi Vullnetar
Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në janar-prill 2010 sollën 53 për qind të primeve të sigurimit, thuhet në raport. Sipas tij primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 1,454 milionë lekë, ose 22.77 për qind më shumë se në janar- prill të vitit 2009, por me rreth 32.61 për qind ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa sigurimet vullnetare të jo-jetës gjatë periudhës janar-prill 2010 patën rritje me rreth 24.49 për qind kundrejt periudhës janar-prill 2009. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 870 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 44.77 për qind të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 38.36 për qind. Sipas raportit të AMF në janar-prill të vitit 2010, sigurimet e përgjegjësisë kanë pasur një rritje me rreth 52.87 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë. Ndërsa në portofolin Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë periudhës katër mujore ndihet një rritje prej 8.55 për qind e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 30.12 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar - prill 2009.
Ornela Manjani