Vdekja e 7-vjeçares, Tavo shkarkon drejtorin e spitalit

Ministri Shëndetësisë, Vangjel Tavo
Tri ditë pas vdekjes së 7-vjeçares Eva Behollari në spitalin e Përmetit, kreu i Shëndetësisë Vangjel Tavo ka urdhëruar shkarkimin urgjent të drejtorit të këtij spitali.
Nga verifikimet e kartelës klinike të vajzës, rezultoi se mungonin të dhënat që përshkruanin ndjekjen e rastit. Për këtë arsye, ministri i Shëndetësisë ka kërkuar të kryhen hetime për të nxjerrë shkaqet reale të vdekjes së 7-vjeçares. U evidentua se nuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për raste të tilla të rënda, të cilat për mungesë të kapaciteteve të spitaleve të distrikteve duhet të referohen menjëherë në spitalet rajonale, bëri me dije zyra e shtypit në Ministrinë e Shëndetësisë. Një grup pune, me specialistë të shëndetësisë, po kryejnë të gjitha verifikimet dhe rezultatet do të dalin pas datës 20 gusht. Për të nxjerrë shkaqet reale të vdekjes, materialet biologjike dhe ushqimore po analizohen në Institutin e Shëndetit Publik. Pas verifikimit të kartelës klinike të fëmijës për mangësitë e vërejtura në përshkrimin e ndjekjes së rastit, ministri Tavo urdhëroi vërejtje për paralajmërim largim nga puna të mjekut pediatër, ka sqaruar Ministria e Shëndetësisë. Familjarët e Eva Belollarit, pretendojnë se vdekja e vogëlushës ka ardhur nga mjekimi i pakujdesshëm i mjekëve. Burime nga Spitali i Përmetit bëjnë me dije se e mitura ka mbërritur në repartin e urgjencës rreth orës 04:00 të së hënës, në gjendje shumë të rëndë. Mësohet se mjeku i urgjencës i ka dhënë serum 7-vjeçares, pasi ka parë gjendjen e saj të dehidratuar.
ZIRINA LLAMBRO