E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e fëmijës, antidoti u fsheh

Fëmija 5-vjeçar që vdiq nga pickimi i gjarprit nuk është trajtuar nga mjekët me serum antivipera, edhe pse ky medikament gjendej në farmacinë e spitalit civil. Ky ka qenë konkluzioni i mjekëve pas verifikimit të rastit të Viktor Balliut, nga një komision i brendshëm hetimor i bluzave të bardha të spitalit civil të Korçës.

Lajmi bëhet i ditur nga shefi i shërbimit kirurgjikal, Bujar Isak, sipas të cilit nga verifikimet dhe njohja me kartelën klinike dhe preparatet mjekësore me të cilat është mjekuar fëmija, ka rezultuar se 5-vjeçari nuk është trajtuar me serumin antivipera, i domosdoshëm si antidot për helmimin nga pickimi i gjarprit. Shefi i shërbimit kirurgjikal, Bujar Isak, tregon se ky serum është gjetur në magazinën e spitalit pasi u kryen verifikimet pas vdekjes së fëmijës, ndërkohë që mjekët kanë shënuar në kartelë mungesën e tij. Serumi disponohej nga institucioni dhe mund t‘i vinte në ndihmë fëmijës pesëvjeçar nga fshati Leminot dhe nuk ishte e nevojshme që familjarët t‘u drejtoheshin farmacive jashtë ambientit spitalor.

Bujar Isak sqaron se mjekët e panë të domosdoshme ndërhyrjen me këtë serum, edhe pse ai nuk aplikohet në të gjitha rastet e pickimeve nga gjarpri. Por pasi është shënuar në kartelë medikamenti mes gamës së gjerë të ilaçeve të tjera që do të përdoreshin, përgjigjja nga farmacia ka qenë se nuk ka gjendje të këtij serumi.

"Serumi antivipera ka munguar në rastin e fëmijës së pickuar nga gjarpri. Në kartelë është shënuar si medikament për mjekim dhe nuk është tërhequr nga ana e mjekëve. Në kartelë është shënuar se ky preparat nuk ndodhej në farmacinë spitalit. Kjo ka rezultuar nga verifikimi i kartelës dhe nga analiza që kemi bërë, por nga verifikimet tona ka rezultuar se preparati ishte gjendje në farmacinë e spitalit. Ky ilaç nuk është marrë nga farmacia për t‘ju dhënë fëmijës, pasi mjekët kanë kontaktuar dhe kanë marrë përgjigje negative se nuk ka një antidot të tillë në gjendje. Për këtë arsye do të jepet një përgjigje e mëtejshme për këtë mungesë informacioni dhe mosakordim që ka ndodhur", thotë Isak.

Sipas tij serumi antivipera ka munguar në spital për një kohë të gjatë, si shumë medikamente të tjera, të cilat i mungojnë spitalit, edhe pse janë të domosdoshme për shumë nga repartet dhe për rastet e urgjencave. Megjithatë shefi i shërbimit kirurgjikal e mohon se kjo mungesë ndërhyrjeje me antidot për të paktën tri orë, periudhë gjatë së cilës pacienti i vogël është trajtuar në kushtet spitalore, ka qenë shkaku që çoi në vdekjen e 5-vjeçarit nga Leminoti.

Mjeku tregon se fëmija ka mbërritur në spital rreth tri orë pas pickimit nga gjarpri, megjithatë gjendja e tij shëndetësore kur është paraqitur në spital ka qenë e kënaqshme. Më tej shëndeti i fëmijës është përkeqësuar, derisa mjekët kanë vendosur ta transportojnë drejt Tiranës. Sipas Isak fëmija ka vdekur nga niveli i lartë i helmit në gjak, gjë që është bërë shkak për vdekjen e tij. Edhe pse pranon se fëmija ka mbërritur në gjendje të mirë pranë spitalit, Bujar Isak thotë se vogëlushi nuk mund të shpëtohej nga mjekët për shkak të moshës dhe dozës së lartë të helmit të gjarprit.

"Fëmija ishte pickuar rreth tri orë para mbërritjes në spital megjithatë ishte në gjendje të kënaqshme. U vlerësua si rast nga ekipi i mjekëve dhe kaloi në reanimacion për shkak të helmimit. Shkaku ka qenë helmimi nga një dozë e lartë, e për pasojë edhe toksikacioni. Rasti është trajtuar me të gjithë gamën e medikamenteve, ka marrë gjithë mjekimin e duhur dhe duke qenë se shëndeti nuk po shkonte mirë është menduar të dërgohet në Tiranë", thotë Isak.

Eksperti:

"Serumi antivipera nuk

ishte garant për shpëtimin"

Shefi i kirurgjisë në spitalin e Korçës nuk e përjashton mundësinë që fëmija mund të shpëtonte në rast se trajtohej në kohë me antivipera, megjithëse nuk deklaron zyrtarisht në rast se ka një pakujdesi nga ana e bluzave të bardha dhe fajësi mes tyre për vdekjen e 5-vjeçarit Viktor Balliu. "U bënë përpjekjet maksimale por rreziku në këto raste është i lartë. Duke qenë se informacioni ishte se nuk kishte serum antivipera, fëmijës nuk ju dha antidot", thotë shefi i shërbimit të kirurgjisë, Bujar Isak. Ai shton se ka pasur shumë raste kur nuk është aplikuar ky serum dhe pacientët kanë shpëtuar me jetë, por në rastin e 5-vjeçarit doza e helmit ka qenë e madhe dhe ka qenë e vështirë që ai të shpëtohet nga mjekët. Bluzat e bardha të Korçës u vunë nën akuzë nga prindërit e 5-vjeçarit Viktor Balliu, të cilëve ju kërkua blerja e medikamentit në farmaci. Nga ana e drejtuesve pritet të merren masa për këtë rast pas ngritje së komisionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›