E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja nga aksidenti, të paqarta shkaqet e tij



Shkaku i vdekjes së Kosta Trerbickës është përplasja që ai ka pësuar ndërsa makina e tij batohej në rrugë, por ende është e paqartë se si ka ndodhur aksidenti. Në një njoftim zyrtarë të policisë dhe mjekësisë ligjore, njoftohet se vdekja ka “ardhur nga politrauma e shoqëruar me kontuzion (shembje) të kokës dhe të gjoksit, me dëmtime të organeve përkatëse me mekanizmin e goditje-përplasjes, karakteristikë kjo e traumave automobilistike”. Një gjë e tillë është bërë e ditur një ditë më parë nga Policia e Shtetit, ku përmes një deklarate për shtyp ka treguar deri ku kanë arritur hetimet dhe çfarë po bëhet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik.

Kështu, nga ana e saj, policia thotë se “nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, rezulton se viktima, Kosta Trebicka, një natë para ngjarjes ka fjetur në hotel në Voskopojë dhe në orën 05 të mëngjesit ka dalë i vetëm nga hoteli dhe me mjetin e tij është nisur për gjueti”. Gjithashtu, nga dëshmitarët dhe nga veprimet hetimore në hotel është konfirmuar se ai ka fjetur i vetëm dhe është larguar i vetëm nga hoteli.

Po kështu, sipas policisë ka dëshmi të dokumentuara se 1 orë para ngjarjes, është parë i vetëm duke ushtruar gjueti, si dhe janë dokumentuar edhe dëshmi të familjarëve dhe njerëzve pranë tij lidhur me ngjarjen. Ndërkohë mësohet se në automjetin provë-materiale janë fiksuar dhe përpunuar të gjitha gjurmët dhe mbetjet, të cilat së bashku me sendet e sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike. Në përfundim të veprimeve hetimore, policia tha se konkluzionet përfundimtare të ekspertëve të përfshirë në këtë hetim do të bëhen publik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›