E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama “lyp” ndihmë amerikane për rastin Trebicka



Ekspertët e SHBA-së, kryeprokurorja dhe drejtuesi i hetimeve për Gërdecin, Zamir Shtylla, ndjekin hetimet e çështjes Trebicka

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dje ndihmë amerikane lidhur me hetimin e vdekjes së dy ditëve më parë të biznesmenit Kosa Trebicka, ndërkohë vetë kryeprokurorja Ina Rama ka udhëtuar dje për në Korçë. “Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje, krahas prokurorisë dhe strukturave të policisë të rrethit Korçë, në vendin e ngjarjes për sqarimin e saj, menjëherë shkuan një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe ekspertë kriminalistë, mjeko-ligjorë”, - thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërkohë, për shkak se çështja është cilësuar delikate, Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë kërkesë për vënien në dispozicion të një grupi ekspertësh me njohuri të posaçme për të dhënë kontributin e tyre në ekzaminimin e ngjarjes. Menjëherë pas kësaj kërkese ambasada amerikane është përgjigjur pozitivisht dhe ka nisur grupin e ekspertëve drejt Korçës, së bashku me kryeprokuroren Rama.

Rama, së bashku me dy prokurorët e çështjes së Gërdecit, Sokol Stojani dhe Zamir Shtylla, ka mbërritur në qytetin e Korçës dhe po ndjekin nga afër hetimin. Rama ka mbërritur në Korçë rreth orës 16:50, ku dhe është takuar me prokurorët që kanë bërë hetimet e para rreth vdekjes së biznesmenit shqiptar, Kosta Trebicka. Pasi është takuar me prokurorët, Ina Rama ka shkuar në vendin e quajtur Kullota e Gjergjevicës në Voskopojë, vend ky ndodhi edhe aksidenti i dy ditëve më parë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme arsyeja e udhëtimit të saj drejt Korçës ishte këqyrja nga afër e rrethanave në të cilën humbi jetën dëshmitari kryesor i tregtisë së armëve.

Në deklaratën zyrtare të prokurorisë thuhet se grupi i hetimit ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe fiksuar çdo provë që lidhet me ngjarjen. “Është sekuestruar dhe bllokuar automjeti tip “Nissan Patrol” 4x4, kabriolet, me ngjyrë të kuqe dhe me targë TR 8843 J, në pronësi të viktimës Kosta Trebicka, i gjetur në vendngjarje. Janë pyetur familjarët e viktimës dhe disa dëshmitarë që kanë pasur dijeni për rrethana se si është ndodhur dhe gjetur trupi i viktimës në vendin e ngjarjes”, - thuhet në njoftim. Nga ekspertë mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, në bashkëpunim me ekspertët mjeko-ligjorë të rrethit, në prani të prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Korçë është bërë këqyrja e trupit të viktimës, si dhe autopsia e tij. Gjatë autopsisë janë marrë mostrat e nevojshme për ekzaminime të mëtejshme laboratorike. Pas kësaj, organi i prokurorisë është shprehur se do të jetë në pritje të rezultateve shkencore të ekspertimit mjeko-ligjor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›