Rikthehen të shtënat në Lazarat; plumbat, deri në Gjirokastër
Banorët evidentojnë shenjat e plumbave
Të shtënat e armëve, edhe gjatë ditës
Pas operacionit të para disa ditëve, ku policia e Gjirokastrës bllokoi disa automjete të dyshuara për vaditjen e bimëve të hashashit në fshatin Lazarat, duket se banorët e këtij të fundit janë kundërpërgjigjur me gjuhën e armëve.
Gjatë natës së të premtes, duke u gdhirë dita e djeshme, lagjja “Zinxhiria” e qytetit jugor është pushtuar nga frika dhe paniku, pasi ka pasur të shtëna të shumta në drejtim të shtëpive të tyre. Një fakt i tillë është pohuar një ditë më parë nga vetë banorët e lagjes periferike, të cilët dyshojnë se të shtënat kanë ardhur nga Lazarati, duke treguar dhe shenjat e plumbave nëpër muret e shtëpive.
Banorët informojnë gjithashtu se nga këto të shtëna janë rrezikuar disa familje, të cilat janë goditur nga plumbat rikoshet, ndërsa i kanë kërkuar ndihmë nga policia dhe shpjegim nga kryetari i komunës së Lazaratit.
Sipas banorëve, ashtu si më parë, edhe mesnata e së premtes dhe orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë qenë vërtet të frikshme për banorët e lagjeve periferike të qytetit të Gjirokastrës, "Zinxhira" dhe "Cfaka". Ata janë detyruar të mbyllen nëpër banesat e tyre për t'i shpëtuar rrebeshit të plumbave që vinin nga Lazarati. Banorë të qytetit muze pohojnë se lazaratasit po i terrorizojnë me të shtënat e tyre në ajër, dhe që sipas tyre, kanë si qëllim të detyrojnë policinë dhe strukturat e shtetit që të heqin dorë nga asgjësimi i bimëve narkotike të mbjella në territorin e fshatit të tyre.
Por, burime nga policia lokale për ngjarjen në fjalë janë shprehur se këto të shtëna kanë qenë sporadike dhe se forcat e rendit po monitorojnë të gjithë ata persona të cilët janë të dyshuar për këtë vepër. Për fenomenin e gjuajtjes me armë në fshatin jugor, policia e Gjirokastrës ka garantuar gjithashtu se do të vërë shumë shpejt përgjegjësit para drejtësisë.
Në të vërtetë, pas ngjarjes së dy javëve më parë, ku banorët e fshatit Dervician u terrorizuan pas të shtënave mbi shtëpitë e tyre nga lazaratasit, policia do të deklaronte se, si rezultat i hetimit të policisë, janë grumbulluar të dhëna dhe prova ligjore për personat e përfshirë dhe së shpejti me përfundimin dhe dokumentimin e plotë ligjor e procedural, të gjithë keqbërësit do të përgjigjen para drejtësisë.
Por në të vërtetë deri më sot askush nga banorët e fshatit të dyshuar nga vijnë të shtënat, nuk është vënë në pranga për ngjarjet në fjalë.