E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekje nga frika

Naim Avdyli (27) nuk ka vdekur nga përdorimi i armës së ftohtë, por një gjë e tillë ka rezultuar për shkak të frikës gjatë rrahjes në dasmën e huaj, me çrast Avdyli ka pësuar infarkt. Kështu pretendon policia e Kosovës në kallëzimin penal kundër katër të dyshuarve, pjesëmarrës në këtë rrahje, njëri nga të cilët gjendet në arrati.

Naim Avdyli ka vdekur të dielën mbrëma. Ai bashkë me Bedri Bajramin (27) e Avdi Gashin (20) kishin shkuar të paftuar në dasmën që po mbante familja e Hasan Trashupës.

Dasma po mbahej të dielën në restorantin Nasa, i cili gjendet në fshatin Llukar, pak kilometra larg Prishtinës. Babai Hasani atë natë po martonte djalin e tij, Arianin.

Pak minuta pasi që kishte nisur dasma, kallëzimi penal i siguruar nga Expressi bën me dije se në të kishin shkuar tre të paftuarit. Ata ishin ulur në një tavolinë, e cila ishte e rezervuar për anëtarët e ngushtë të familjes.

Dasmorët nuk kishin njohur tre të ardhurit, ndërsa kishte filluar fjalosja, e më pas grushtimi. Duke i grushtuar, tre personat kishin dalë nga restoranti. Me të dalë, Naim Avdyli kishte mbetur i vdekur në vend.

Kallëzimi penal bën me dije se është bërë autopsia e trupit të pajetë të Naim Avdylit.

Në bazë të raportit preliminar, viktima ka pasur disa lëndime, të cilat nuk kanë qenë vdekjeprurëse dhe se shkaktar i vdekjes dyshohet të jetë stresi që ka pasur viktima gjatë përleshjes, i cili stres ka çuar në bllokimin e arterieve koronare të zemrës (infarkt), thuhet mes të tjerash në kallëzim penal.

Sipas tij, lëndime kanë marrë edhe dy të paftuarit e tjerë, Bedri Bajrami e Avdi Gashi. Ky i fundit gjendet në arrati, derisa në paraburgim është Bedri Bajrami. Edhe dy vëllezërit e dhëndrit, Bajram dhe Ylber Trashupa janë në paraburgim. Dy të fundit dyshohen se kanë kryer veprën penale, lëndim i rëndë trupor dhe veprën penale pjesëmarrje në rrahje me pasoja vdekjeprurëse. Për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje dyshohen edhe Bedri Bajrami dhe i arratisuri Avdi Gashi.

Ndaj tre të arrestuarve, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të martën u caktua masa e paraburgimit. Ndaj Bedri Bajramit janë caktuar pesëmbëdhjetë ditë paraburgim, derisa për dy vëllezërit Troshupa nga një muaj.

Në polici, Bedri Bajrami ka thënë se nuk ka shkuar me ndonjë qëllim të caktuar në atë dasmë, por sipas tij, ai ka shkuar bashkë me dy persona të tjerë duke menduar se në restorantin në fjalë po mbahej tubim zgjedhor.
Me gjithë këtë, kallëzimi penal i siguruar nga Expressi bën me dije se nuk dihen motivet e shkuarjes së tre personave të paftuar në dasmën e familjes Trashupa.

Deri më tani nuk kemi arritur të kuptojmë motivin pse Naim Avdyli, Bedri Bajrami dhe Avdi Gashi kanë shkuar në dasmën e Arian Trashupës dhe pse nuk kanë qenë të ftuar, e as nuk janë njohur më parë, thuhet në kallëzimin penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›