Vdekshmëria gjatë lindjes në Shqipëri mbetet e lartë

Vdekshmria foshnjore, foto arkiv
Raporti i organizatës Save the Children thotë se vdekshmëria gjatë lindjes në Shqipëri mbetet më e larta në kategorinë e vendeve më të zhvilluara.
Raporti i organizatës Save the Children analizon 165 vende, të cilat i ndan në dy grupe vende më të zhvilluara dhe vende më pak të zhvilluara, të cilat vlerësohen në bazë të tre indekseve: mirëqenia e nënës, mirëqenia e fëmijës dhe mirëqenia e përgjithshme e gruas.
Shqipëria, e cila përfshihet në kategorinë e vendeve më të zhvilluara, renditet e fundit në grupin me 43 vende në të tria këto indekse.
Raporti vjetorë i publikuar nga organizata mbi gjendjen e nënave në botë, është një sinjal alarmi për Shqipërinë. Sipas të dhënave të publikuara, në Shqipëri ritmet e vdekshmërisë janë 1 në 1700 gra gjatë lindjes, dy herë më të larta në krahasim me shifrat e Malit të Zi, dhe katër herë më të larta se vdekshmëria në Serbi dhe Maqedoni.
Një ndër problemet që cilëson organizata në Shqipëri është niveli i kufizuar i personelit të kualifikuar gjatë lindjes.
Save the Chaildren i bën thirrje qeverisë shqiptare që të rrisë vëmendjen që duhet t’ju kushtohet nënave. /E.L/