Zgjedhjet, policia do përdorë makina me targa civile
Policia e Shtetit do shpërndajë 5000 mijë forca të saj për procesin zgjedhor
TIRANË - Punonjësit e Policisë së Shtetit do të lejohen që ditën e zgjedhjeve të lëvizin edhe me makina me targa civile.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje, si pjesë e udhëzimit "për detyrat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ushtrisë në zgjedhjet e qershorit", edhe nenin që bën të mundur që forcat e rendit, përveç makinave të policisë, të mund të përdorin dhe makina të tjera në pronësi të saj, por që kanë targa civile.
Por, pikërisht kjo pikë e këtij udhëzimi është bërë objekt i jo pak debateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku anëtarët dhe përfaqësuesit e opozitës kanë shprehur rezerva lidhur me mundësinë e abuzimit dhe ushtrimit të presionit tek zgjedhësit nëpërmjet veprimeve të pakontrolluara.
Megjithëse pika dy e nenit 9 e këtij udhëzimi, përcakton se mjetet e përdorura prej policisë, me targa civile, duhet të kenë shenja dalluese që tregojnë se ato janë të ngarkuara me detyra në funksion të zgjedhjeve, përfaqësuesit e majtë në KQZ e kanë vlerësuar si të papranueshme që policia të mund të përdorë makina private. Kështu, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, ka këmbëngulur që lëvizja e forcave të rendit të bëhet vetëm me makina të policisë dhe me asnjë mjet tjetër. "Nuk ka sens që policia të përdorë makina me targa civile.
Kjo do të cenonte procesin, pasi ato mund të ktheheshin në një moment abuzimi", - tha Gjonçaj. Por, sipas anëtarit demokrat të KQZ-së, procesi zgjedhor kërkon një angazhim të madh dhe Policia e Shtetit nuk do të mundë që të mbulonte me makina policie afro 5000 mijë forcat e saj që do t'i vërë në dispozicion të kësaj dite. "Policia nuk ka 5 mijë makina, ndaj duhen angazhuar dhe makina civile", - tha Osmanaj.
Një opinion të kundërt ka ndarë anëtari socialist i KQZ-së, Artan Lazaj, i cili duke iu trembur keqpërdorimit të një hapësire të tillë nga elementë, që mund të bëjnë presione të ndryshme, ka kërkuar që ky të jetë një proces tërësisht i kontrolluar nga KQZ-ja. Për këtë arsye, KQZ-ja ka gjetur si një zgjidhje kompromisi që të vendosë në udhëzim detyrimin që ka Policia e Shtetit për të vënë në dispozicion të KQZ-së të gjitha targat e makinave, që do të përdorë për zgjedhjet. "Dhjetë ditë para hapjes së procesit zgjedhor, Policia e Shtetit i vë në dispozicion KQZ-së listën e plotë të targave civile që do të përdoren prej policisë në ditën e zgjedhjeve", - u sanksionua në këtë udhëzim.
Nëpërmjet këtij udhëzimi është përcaktuar, ndër të tjera, se punonjësit e forcave të policisë që ngarkohen me detyra gjatë zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që merren me ruajtjen e objekteve zgjedhore, në 24 orët para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, qëndrojnë brenda komisariateve ose në vende dislokimi larg qendrave të banuara. Një tjetër pikë që ka shkaktuar debate ka qenë edhe ajo që ka të bëjë me shoqërimin e kutive të votimit dhe i materialeve zgjedhore.
Objekt debati është bërë pikërisht fakti se, në udhëzim përcaktohet se "shoqërimi i kutive t votimit dhe i kutisë së materialeve zgjedhore nga KQV-ja në vendin e numrimit t votave bëhet me automjet, në të cilin ndodhen antart e KQV-së, sekretari i KQV-s dhe një punonjës i Policisë së Shtetit".
Por, një gjë e tillë krijon nevojën për makina të mëdha transporti, mundësisht fugonë, që të mund të nxënë një numër prej të paktën 10 vetash, përfshi 7 anëtarët e KQV-së, sekretarin e saj, policin dhe shoferin e mjetit. Por, edhe për këtë duket se është gjetur një zgjidhje, pasi është lënë që kutitë e votimit dhe mjetet zgjedhore të mund të transportohen me dy makina të ndryshme.