Veglat-koka të bashkisë, plane për t’u arratisur nga Shqipëria, me alibi “pushimet e verës”

Ka tre ditë që Partia Socialiste hesht, më fort se asnjëherë tjetër. Asnjë konferencë për shtyp, asnjë predikim me gazetarët dhe asnjë komunikatë për shtyp, veç ca ejakulacioneve të parakohshme publicistike të Erjon Braçes në rrjetin social Fb, për të zbrazur mërinë ndaj politikës së ndërkombëtarëve në Tiranë.
Mirëpo të panjohura dhe të mistershme janë vendimet e Edi Ramës, që ndërkohë po prish dhe fshin gjurmët e “abuzimeve” në librat e protokollit dhe serverin elektronik të Bashkisë Tiranë. Ka ca ditë që dritat nuk fiken në këtë institucion të shpërfytyruar, edhe kur mungon rryma elektrike, aty brenda ndizet një zjarr bubulak me shkresa e dosje, kërkesa dhe ankesa. Me siguri po plotësojnë deficitin e katër viteve.
Megjithatë kur banori i ri i zyrës së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha të hyjë në ambientet e bashkisë, do të konstatojë veçse hirin e djegies së provave shkresore të 11 vjet abuzime dhe aferave të dyshimta korruptive. Janë tenderët e pastrimit të kunatit të Dashit, të lejes pallatit në një rrugë publike të kunatit të Dashit, janë dokumentet e shitjes së 1300 metra katrorë të ish-parkut Rinia, të 150 padive kundrejt bashkisë për prishje të pronës private, etj. Mijëra dokumente po asgjësohen dhe shkrumbohen brenda pak ditëve për ta nxjerrë “clean”, të pastër. Por pastërtia nuk është një degë morale ku mund të kacavirret për të shpëtuar kreu i Partisë Socialiste dhe Ish-kryebashkiaku, Edvin Rama. Pisllëku i tepërt që gjendet nëpër rrugët e Tiranës sigurisht është një derivat i qelbjes nga koka të ish-Kryebashkiakut 11 vjeçar socialist, cka e zhyt keqqeverisjes e tij në analet e historisë. Sepse sakatimi shkencor që është kryer në kryeqytet për të ngritur pallate shumëkatëshe të klikës së betonit, pa planin urbanistik dhe me leje bashkie është një trashëgimi e pamohueshme e administratës së mëparshme socialiste.
Me shumë gjasa shkatërrimi i provave materiale, i mbylljes së faqeve bosh të librit të protokollit dhe i serverit qendror të bashkisë do ta bëjë të pamundur fajësimin e atij, që bashkinë e ka përdor për financuar protesta, greva urie, demonstrata dhe sulme ndaj rendit kushtetues. Kësisoj edhe lajmi se në disa agjenci udhëtimesh në Tiranë disa drejtues të dorës së dytë, por kryesorë në punët e bashkisë Tiranë kanë prerë biletat e avionit dhe pushimet të gjata, me siguri për t’u zhdukur nga qarkullimi, kur të dalin të gjitha abuzimet dhe përgjegjësitë. Dhe kur përgjegjësitë janë të mëdha vetëm arratisja mund t’i nga prangat. Krimi ekonomik i bashkisë Tiranë vetëm në tre muaj e fundit është llogaritur nga ekspertët mbi 2 milion dollarë. Vetëm tenderët e fundit të konsumuar nga bashkia për korsi të veçanta për autobusë dhe taksi për të cilat janë shpenzuar jo më pak se 300 mijë euro flet vetë për përmasat e dëmit ekonomik, që po i shkakton fund-largimi i Ramës.