E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllaznimi - Liria 2:4 (0:3)

Gjakovë, 29 gusht - Skuadra e Lirisë e ka deklasuar me lojë dhe gola ekipin e ri të Vëllaznimit, duke e mundur në Gjakovë me rezultat 4:2, të dielën në kuadër të javës së tretë të Raiffaisen Superligës në futboll.
Agron Skeraj (31' e 45'), Luigj Buqaj (45') dhe Rafet Mullallari (79') kanë shënuar në portën e "kuqezinjve" për t'i shkaktuar humbjen e dytë në këtë edicion skuadrës gjakovare. Për Vëllaznimin kanë realizuar Virtyt Hashani në minutën e 53-të nga penalltia dhe Atdhe Gashi dy minuta pas përfundimit të kohës së rregullt, nga gjuajtja e lirë.
"Kemi pritur rezultat pozitiv nga kjo lojë, por jo kaq bindës.  Mendoj se pas paraqitjes së dobët në takimin e parë në dy lojërat e fundit ekipi e ka marrë veten, pasi kemi shënuar dy fitore me rezultat bindës. Besoj se edhe në takimet e ardhshme do të vazhdojmë me këtë ritëm", tha pas ndeshjes kapiteni i prizrenasve, Rafet Mullallari.
Liria ka mundur të shënonte edhe në disa raste të tjera, kur lojtarë të saj kanë dalë përballë portierit Alban Xharavina. Gardiani gjakovar në minutën 59 ndali goditjen e Buqajt, ndërsa shtatë minuta më vonë edhe atë të Karahodës. Por, pa raste në këtë takim nuk kanë mbetur as "kuqezinjtë". Labinot Efendia, në fillim të takimit, e më pas edhe Atdhe Gashi e  Ylber Myrta u gjendën në pozita të mira, por nuk arritën të shënonin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›