Vëllaznimi, lider i Superligës

Vëllaznimi të paktën deri të dielën do të jetë lider i ri i Superligës. Kjo pasi gjakovarët të shtunën kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme përball Lirisë me rezultat 2:1 – në kuadër të xhiros së njëzetetretë.
Hero i gjakovarëve ishte kapiteni Atdhe Gashi, realizues i të dy golave të ekipit kuq e zi.
Vendasit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 qysh në minutën e 9-të të takimit me një gol të bukur që e shënoi Gashi. Por, prizrenasit i barazuan shifrat në 1:1 në minutën e 61-të nëpërmjet Alsid Tafilit. Mirëpo, pesë minuta pa përfunduar ndeshje, kuqezinjtë e fituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Gashi.
Kështu, Vëllaznimi rrëmbeu kreun e renditjes tabelore me 43 pikë të tubuara, dy më shumë sesa Prishtina, e cila ka një ndeshje më pak, të cilën do ta zhvilloj të dielën ndaj Drenicës.