Vendet bosh, ndarja e 3419 kuotave sipas universiteteve
Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht ndarjen e 3419 kuotave bosh sipas 11 universiteteve publike të vendit. Përveç kësaj, MASH bën të ditur se janë dhe 1354 vende, kuota, të cilat nuk janë preferenca të përzgjedhura nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Sipas MASH, këto kuota mund të jenë kontigjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve. Nga pasqyra e kuota të lira pas përfundimit të regjistrimit paraprak të fituesve, vihet re se më shumë vende bosh do të ketë në disa universitete, si ai i Tiranës, Bujqësorit, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, ndërkohë që në Universitetin e Arteve dhe të Sporteve, nuk ka më asnjë vend të lirë. Më konkretisht, bilanci i vendeve bosh sipas 11 universiteteve është: Universiteti i Tiranës 634; Universiteti Bujqësor 420; Universiteti Politeknik 210; Universiteti i Korçës 303; Universiteti i Elbasanit 380; Universiteti i Gjirokastrës 336; Universiteti i Shkodrës 285; Universiteti i Vlorës 596; Universiteti i Durrësit 249. Mbi bazën e vendeve vakante nga faza e regjistrimit paraprak do të përpilohet edhe lista e fituesve përfundimtarë, që sipas afatit të caktuar nga MASH, do të shpallet në datën 23 shtator, që përkon me ditën e premte të kësaj jave.