E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet vakante në gjyqësor, dje afati i fundit

Autori i Lajmit: Redaksia

Përfundoi dje afati zyrtar për paraqitjen e kandidaturave në Presidencë për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, procedurë e hapur nga presidenti Topi në fund të muajit janar. Pas kësaj dite, Kryetari i Shtetit do të nisë mbledhjen e informacioneve për emrat që kanë paraqitur kandidaturat për të plotësuar vendet bosh në dy prej gjykatave më të rëndësishme në vend, përkatësisht 2 në Gjykatën e Lartë dhe 6 në Gjykatën Kushtetuese. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar që kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet. Pak ditë më parë, në një tryezë të posaçme, ish-presidentë, diplomatë dhe specialistë të fushës mbështetën Presidentin për përzgjedhjen e emrave, ndërsa nuk munguan dhe propozimet në mënyrë që të ndryshohet Kushtetuta për të evituar që kompetencat e Kreut të Shtetit të rrezikoheshin nga kompetencat kryeministrore.

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›