E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendi renditet i dyti pas Gjermanisë në këtë fushë

26/05/2010 OKB vlerëson Shqipërinë për aplikimin e prokurimeve elektronike në 100%

Bregu: “Ofrohet siguri, transparencë dhe prakticitet për komunitetin”

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar Shqipërinë me çmimin e ekselencës për prokurimet elektronike. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila theksoi se duke iu referuar vendimit të OKB-së, vendi ynë renditet i dyti pas Gjermanisë në grupimin e vendeve të Evropës dhe Amerikës së Veriut për përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të shërbimeve publike. “Reduktimi i burokracive dhe përmirësimi i shërbimeve publike si pjesë e reformave të kësaj Qeverie për transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, janë vlerësuar maksimalisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vlerësimin e saj vjetor për qeverisjen dhe administratën publike”, ka thënë Bregu. Sipas saj, OKB-ja i ka akorduar Agjencisë së Prokurimeve Publike të Shqipërisë çmimin e ekselencës, duke e renditur saktësisht përkrah 15 institucioneve në mbarë botën, që merr çmimin për shërbime publike të shkëlqyera për vitin 2010. Bregu ka theksuar se për Qeverinë shqiptare kalimi te prokurimet elektronike ishte një hap shumë i nevojshëm për të luftuar korrupsionin. Ajo tha se nga një sistem bllokues në letër i procesit të tenderimit, me mbi 70% të tenderëve të hapur para 5 vjetësh, një procedurë që shoqërohej nga mungesa e transparencës dhe niveli i lartë i korrupsionit, sot Shqipëria është vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100% elektronik të detyruar, për të gjitha shërbimet publike. “Duke ofruar siguri, transparencë dhe prakticitet për komunitetin vendas dhe ndërkombëtar të biznesit. Ky është motivacioni që vlerëson Shqipërinë me çmimin e ekselencës për shërbimet publike. Ky vlerësim vjen si rezultat i reformave të fuqishme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare”, tha ajo. Ministrja Bregu theksoi se aktualisht Shqipëria sipas OKB-së është vendi i parë në botë që aplikon një sistem prokurimi 100% elektronik detyrues.

Prokurimet elektronike

Duke nisur nga fillimi i vitit 2009, të gjitha prokurimet publike janë kryer në mënyrë elektronike, gjë e cila për Qeverinë shqiptare ka krijuar më tepër transparencë dhe mundësi më të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Sipas llogaritjeve, procesi i prokurimeve elektronike i ka sjellë buxhetit të shtetit rritje me 15% të kursimeve nga fondi limit i prokurimeve. Agjencia e Prokurimeve Publike nga hyrja në fuqi e vendimit nuk ka shpallur asnjë prokurim, në rast se ai nuk ka qenë elektronik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›