E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendime të miratuara më mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim dhe miratoi një sërë vednimesh dhe projektligjesh:

1. V E N D I M

PËR MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES SË STABILIZIM-ASOCIIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministria e Integrimit bashkërendon punën dhe monitoron zbatimin e planit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, si dhe raporton në Këshillin e Ministrave.

3. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në varësi të Këshillit të Ministrave, raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit, në fillim të çdo muaji, për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga plani kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

4. Ngarkohet Ministria e Financave të monitorojë përfshirjen, në programin buxhetor afatmesmë, të nevojave financiare, të pambuluara nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e përparësive afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, të parashikuara në planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

5. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

6. Vendimet nr.634, datë 30.8.2004, "Për miratimin e planit të veprimit në zbatim të përparësive të partneritetit europian", dhe nr.317, datë 13.5.2005, "Për miratimin e planit kombëtar të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian dhe zbatimit të angazhimeve, që rrjedhin nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit", të Këshillit të Ministrave, shfuqizohen.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

2- V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR KËSHILLIN KONSULTATIV TË BIZNESIT"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit "Për Këshillin Konsultativ të Biznesit", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

KËSHILLIN KONSULTATIV TË BIZNESIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Këshilli Konsultativ i Biznesit është organ këshillimor, buxhetor, i qeverisë, për zhvillimin e politikave ekonomike dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor përkatës.

Neni 2

Objekti i veprimtarisë

1. Objekti i veprimtarisë së Këshillit Konsultativ të Biznesit është përgatitja e rekomandimeve për qeverinë dhe Kuvendin, nëpërmjet dialogut shtet-privat në:

- procesin e hartimit të strategjive dhe të programeve qeveritare të zhvillimit të ekonomisë;
- procesin e përgatitjes së buxhetit të shtetit dhe të paketave fiskale;
- politikat e privatizimit;
- politikat e prokurimit publik;
- politikat e nxitjes së investimeve;
- politikat e zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit;
- politikat e konkurrencës, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

2. KKB-ja ia dërgon përfundimet dhe rekomandimet e saj Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Projektaktet e përgatitura nga institucionet qendrore të administratës, sipas objektivave të përcaktuara, në pikën 1, të këtij neni, i dërgohen për mendim KKB-së.

Neni 3
Burimet e financimit

Burimet e financimit të KKB-së janë:

- buxheti i shtetit;
- burime të tjera të ligjshme.

KREU II

PËRBËRJA, EMËRIMI I ANËTARËVE DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT KONSULTATIV TË BIZNESIT

Neni 4
Përbërja e Këshillit Konsultativ të Biznesit

1. Këshilli Konsultativ i Biznesit kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ka në përbërje përfaqësues nga:

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë;
- shoqatat e biznesit, vendase dhe të huaja;
- shoqëria civile;
- institucionet shtetërore;
- organizmat e pushtetit vendor.

2. Këshilli Konsultativ i Biznesit përbëhet nga jo më pak se 15 dhe jo më shumë se 20 anëtarë. Kryetari e përfaqëson këtë këshill në marrëdhënie me të tretët. KKB-ja vepron nëpërmjet komisioneve të këshillimit dhe sekretariatit teknik.

Neni 5
Mënyra e funksionimit

Mënyra e funksionimit dhe e përdorimit të fondeve financiare të KKB-së, komisioneve të këshillimit dhe sekretariatit teknik përcaktohen në rregulloren "Për funksionimin e Këshillit Konsultativ të Biznesit".

Rregullorja e funksionimit të Këshillit Konsultativ të Biznesit miratohet nga ministri përgjegjës për ekonominë.

Neni 6
Emërimi i anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe kohëzgjatja e mandatit të tyre

Anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit emërohen nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas kritereve dhe procedurës së parashikuar në rregulloren e funksionimit të këtij këshilli, për një periudhë 2-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 7
Sekretariati teknik

Veprimtaria administrative e Këshillit Konsultativ të Biznesit realizohet nga sekretariati teknik, i cili emërohet nga kryetari i këtij këshilli.

Neni 8

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

3 - V E N D I M

PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR FACTORINGUN"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit "Për factoringun", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR
FACTORINGUN

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KAPITULLI I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

1. Ky ligj ka për qëllim të rregullojë kontratën factoring dhe kalimin e kredive të llogarisë klient, siç përshkruhet në këtë ligj, si dhe të përcaktojë të drejtat e detyrimet e palëve në një kontratë factoring.

2. Për ato çështje, që nuk rregullohen nga ky ligj, palët e kontratës factoring dhe marrëdhëniet juridike, që lindin ndërmjet tyre, për shkak të kalimit të kredive apo lidhjes së kontratës factoring, sipas këtij ligji, do t'u nënshtrohen dispozitave të ligjeve të tjera, në fuqi.

Neni 2
Kontrata factoring

1. Kontrata factoring, për qëllimin e këtij ligji, quhet kontrata, e lidhur me shkrim, ndërmjet furnizuesit dhe factor-it, nëpërmjet së cilës:

a) furnizuesi mund t'i shesë apo i shet factor-it kredi të llogarisë klient, që ekzistojnë në çastin e lidhjes së kontratës factoring dhe/apo që mund të krijohen më pas, të cilat kanë lindur dhe/ose do të lindin nga kontrata për shitjen e sendeve dhe/ose shërbimeve, të lidhura ndërmjet furnizuesit dhe klientëve të tij (debitorëve), duke përjashtuar ato për shitjen e sendeve dhe/ose shërbimeve, që blihen për përdorim personal, familjar ose shtëpiak;
b) factor-i kryen të paktën dy nga veprimet e mëposhtme:
(i) financon furnizuesin , duke përfshirë parapagimet;
(ii) mban llogaritë, që lidhen me kreditë e llogarisë klient;
(iii) mbledh kreditë e llogarisë klient;
(iv) mbron furnizuesin nga paaftësia paguese e debitorëve, si pasojë e pamundësisë së tyre financiare për të paguar.
c) debitori njofton kalimin e kredive të llogarisë klient.

2. Kontrata factoring lidhet si për kredi vendase, ashtu edhe kredi ndërkombëtare.

3. Kontrata factoring ka përparësi ndaj çdo marrëveshjeje, të lidhur ndërmjet furnizuesit dhe debitorit, nëpërmjet së cilës ndalohet kalimi i kredive të llogarisë klient.

4. Kontrata factoring nuk është një marrëveshje huaje apo marrëveshje për transferimin e kredive të llogarisë klient, që bëhet vetëm për të lehtësuar mbledhjen e llogarive.

5. Në kuptim të këtij ligji, kontrata, ku factor-i dhe furnizuesi janë i njëjti subjekt, nuk vlerësohet kontratë factoring.

Neni 3
Llojet e kontratës factoring

Kontrata factoring përfshin këto lloje:

a) Factoring pa garanci, ku furnizuesi nuk garanton factor-in për aftësinë paguese të debitorit. Megjithatë, furnizuesi mbetet përgjegjës dhe i detyruar kundrejt factor-it, nëse për çfarëdolloj arsyeje, të ndryshme nga paaftësia paguese, debitori nuk paguan tërësisht kredinë e llogarisë klient;
b) Factoring me garanci, ku furnizuesi garanton plotësisht factor-in për pagimin e kredisë së llogarisë klient nga debitori;
c) Factoring vendas, eksporti ose importi.

Neni 4
Njoftimi i debitorit

1. Factor-i njofton debitorin:

a) me shkresë, të nënshkruar nga factor-i ose furnizuesi.
b) me njoftim me shkrim, përfshirë faksin, mesazhet e dërguara me postë elektronike (e-mail) dhe çdo lloj telekomunikimi, që mund të riprodhohet në mënyrë të prekshme. Njoftimi me shkrim vlerësohet i realizuar, kur i ka mbërritur marrësit.

2. Përmbajtja e njoftimit përfshin deklarimin e ekzistencës së kontratës factoring, të lidhur ndërmjet factor-it dhe furnizuesit, si dhe identifikimin e factor-it dhe të kredive të llogarisë klient, që janë objekt i kontratës factoring.

3. Njoftimi kryhet brenda një afati të arsyeshëm.

Neni 5
Objekti i factoring, kreditë ekzistuese dhe/ose të ardhshme

1. Objekt i kontratës factoring janë kreditë ekzistuese dhe/ose të ardhshme të llogarisë klient, të cilat kanë lindur ose do të lindin nga shitja e sendeve dhe/ose shërbimeve nga furnizuesi te klienti (debitori). Kreditë e llogarisë klient, objekt i kontratës factoring, mund të jenë vendase dhe ndërkombëtare.

2. Kreditë e llogarisë klient kalohen edhe përpara lidhjes së kontratave nga të cilat ato do të rrjedhin. Kreditë e llogarisë klient, qofshin ekzistuese apo të ardhshme, mund të kalohen në tërësi.

3. Kalimi në tërësi i kredive të ardhshme të llogarisë klient mund të bëhet vetëm për kreditë, që rrjedhin nga kontrata, të cilat lidhen brenda një afati maksimal, njëzet e katër muaj, nga data e lidhjes së kontratës factoring.

Neni 6
Mbarimi i kontratës factoring

Kontrata factoring mbaron me përfundimin e afatit kohor, për të cilin ajo është lidhur. Nëse kohëzgjatja nuk është përcaktuar, kontrata factoring përfundon pasi të jenë shlyer plotësisht të gjitha kreditë e llogarisë klient, të transferuara nëpërmjet kësaj kontrate.

Për kushtet e tjera, sipas të cilave palët në kontratën factoring kanë të drejtën për t'u tërhequr nga kontrata, zbatohen dispozitat e përgjithshme të Kodit Civil.

KAPITULLI II

TË DREJTAT DHE DETYRIMET E PALËVE NË TRANSANKSIONET FACTORING

Neni 7
Përkufizimi i palëve

Palët pjesëmarrëse në transanksionet factoring janë factor-i, furnizuesi dhe debitori.

Neni 8
Factor-i

Factor-i është person juridik, i cili ofron shërbimet e përmendura në shkronjën "b", të nenit 2, të këtij ligji, kundrejt shpërblimit, që mund të jetë një shumë e përcaktuar dhe/ose normë interesi, për një periudhë kohore, të caktuar me marrëveshjen e palëve.

Neni 9
Furnizuesi

1. Furnizues është çdo subjekt, i cili i ofron debitorit sende dhe/ose shërbime.

2. Në kuptim të këtij ligji, furnizues nënkupton subjektin, që ushtron veprimtari tregtare, të krijuar në përputhje me legjislacionin e vendit të origjinës, i cili përfiton nga factor-i shërbimet e përcaktuara në shkronjën "b", të nenit 2, të këtij ligji, kundrejt shpërblimit, që është një shumë e përcaktuar dhe/ose normë interesi, për një periudhë kohore, të caktuar me marrëveshjen e palëve.

Neni 10
Debitori

1. Debitor është subjekti, që ble sende dhe/ose shërbime nga furnizuesi.

2. Në kuptim të këtij ligji, debitori nënkupton subjektin, që ushtron veprimtari tregtare dhe që është krijuar në përputhje me legjislacionin e vendit të origjinës.

Neni 11
Kreditë e ardhshme

1. Dispozitat e kontratës factoring vlerësohen të vlefshme, edhe pse nuk identifikojnë individualisht kreditë, ekzistuese ose të ardhshme, të llogarisë klient, objekte të kontratës factoring, nëse këto kredi identifikohen në kontratën factoring, në kohën e lidhjes së saj ose në kohën e lindjes së këtyre kredive.

2. Dispozitat e kontratës factoring, që parashikojnë kalimin e kredive të ardhshme të llogarisë klient te factor-i, zbatohen menjëherë, në çastin kur lindin kreditë në fjalë, pa qenë i nevojshëm nënshkrimi i një kontrate të re, për realizimin e kalimit të kredive të llogarisë klient.

Neni 12
Kontrata e lidhur ndërmjet factor-it dhe furnizuesit

Shitja e kredive të llogarisë klient nga furnizuesi te factor-i është e vlefshme pavarësisht nga ndonjë kontratë apo marrëveshje, e lidhur ndërmjet furnizuesit dhe debitorit, e cila ndalon kalimin e kredive.

Neni 13
Detyrimet e factor-it

1. Factor-i pranon kalimin e kredive të llogarisë klient të furnizuesit, në përputhje me kontratën factoring, siç parashikohet në nenin 2, të këtij ligji.

2. Factor-i i kryen shërbimet sipas kontratës factoring, siç parashikohet në shkronjën "b", të nenin 2, të këtij ligji.

Neni 14
Detyrimet e furnizuesit

1. Furnizuesi përgjigjet kundrejt factor-it për ekzistencën dhe vlefshmërinë e kredive të llogarisë klient, të cilat janë objekt i kontratave të përmendura në nenin 5, të këtij ligji.

2. Furnizuesi përgjigjet kundrejt factor-it për ekzistencën e kredive të llogarisë klient, që i kalojnë factor-it, të lira nga çdo barrë, mosmarrëveshje, prapësim, pretendim apo nga çdo e drejtë tjetër e të tretëve.

3. Furnizuesi është i detyruar, që, jo më vonë se çasti kur factor-it i lindin të drejtat, që burojnë nga kontrata factoring, të vërë në dispozicion të factor-it, sipas dispozitave të Kodit Civil, çdo të dhënë dhe dokument, që provon ekzistencën e kredive të llogarisë klient, objekt i kontratës factoring.

4. Nëse debitori, edhe pse është njoftuar sipas nenit 17, të këtij ligji, ekzekuton, gabimisht ose për çdo lloj arsye tjetër, në favor të furnizuesit kreditë e llogarisë klient, që furnizuesi ia ka kaluar factor-it nëpërmjet kontratës factoring, furnizuesi detyrohet t'i transferojë menjëherë factor-it fondet, që ka përfituar nga ekzekutimi i kredisë prej debitorit.

Neni 15
Mjetet e sigurimit për kontratën factoring

Factor-i dhe furnizuesi mund të parashikojnë në kontratën factoring mjete për sigurimin e transanksioneve factoring. Mjetet e sigurimit përfshijnë një depozitë, çdo barrë, një peng, dorëzani ose mjete të tjera sigurimi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Neni 16
Shkelja e furnizuesit

1. Lidhja, nga furnizuesi me më shumë se një factor, i kontratave të përcaktuar në nenin 2, të këtij ligjit, të cilat kanë objekt të njëjtat kredi të llogarisë klient, për të njëjtin debitor, është e ndaluar. Këto kontrata, kur lidhen, janë të pavlefshme. Shkelja e kësaj dispozite, kur përbën veprën penale të mashtrimit, dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal.

2. Lidhja e kontratave factoring, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk vlerësohet e kundërligjshme, nëse factor-ët e lartpërmendur kanë rënë dakord për lidhjen e këtyre kontratave.

KAPITULLI III

TË DREJTAT DHE DETYRIMET E DEBITORIT

Neni 17
Të drejtat e debitorit

1. Debitori ka të drejtë të njoftohet për kontratën factoring, kreditë e llogarisë klient, objekt i kontratës, dhe identitetin e factor-it.

2. Të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara për debitorin në kontratën e lidhur ndërmjet tij dhe furnizuesit mbeten të pandryshuara, pavarësisht nga ndryshimi i palës në favor të së cilës debitori ekzekuton kredinë.

Neni 18
Detyrimi për të paguar

1. Debitori është i detyruar të paguajë factor-in, vetëm nëse nuk është në dijeni për përparësinë e një subjekti tjetër për t'u paguar, dhe nëse njoftimi me shkrim për kalimin e kredisë:

a) i është dhënë debitorit nga furnizuesi ose nga factor-i, me miratimin e furnizuesit;
b) identifikon, në mënyrë të arsyeshme, kreditë e llogarisë klient, të kaluara në favor të factor-it, kundrejt të cilit debitori duhet të paguajë kredinë;
c) i referohet kredive të llogarisë klient, që kanë lindur nga një kontratë shitjeje sendesh dhe/ose shërbimesh, e lidhur përpara ose në kohën e dhënies së njoftimit.

2. Pasi të jetë kryer njoftimi në mënyrën e duhur, debitori paguan factor-in, sipas kushteve të kontratës së lidhur ndërmjet furnizuesit dhe debitorit.

Neni 19
Shkarkimi nga detyrimi

Debitori shkarkohet nga detyrimi kur kryen pagesën e kredisë në favor të factor-it, në përputhje me parashikimet e nenit 18, të këtij ligji, si dhe në çdo rast tjetër, kur kryerja e pagesës së kredisë nga debitori, në favor të factor-it, e çliron debitorin nga detyrimi.

Neni 20
Prapësimet dhe mbrojtja e debitorit

1. Nëse factor-i ka pretendime ndaj debitorit për pagesën e një kredie të llogarisë klient, që lind nga një kontratë shitjeje sendesh dhe/ose shërbimesh, debitori ka të drejtë t'i kundrejtojë factor-it të gjitha prapësimet, të cilat do t'ia kundrejtonte furnizuesit.

2. Gjithashtu, debitori kërkon nga factor-i kompensimin e kredisë së llogarisë klient, që i ka kaluar factor-it me kredi të debitorit ndaj furnizuesit, të cilat lindin në çastin kur debitori ka marrë njoftimin me shkrim për kalimin e kredive, sipas neneve 4 e 18, të këtij ligji.

Neni 21
Kthimi i shumave, që debitori i ka paguar factor-it

1. Pa cenuar të drejtat e debitorit, të parashikuara në nenin 19, të këtij ligji, mospërmbushja ose përmbushja, e parregullt a me vonesë, e kontratës së shitjes së sendeve dhe/ose shërbimeve, nuk i jep menjëherë debitorit të drejtën, për t'i kërkuar factor-it kthimin e shumës së paguar, edhe nëse debitori ka të drejtë të kërkojë kthimin e kësaj shume nga furnizuesi.

2. Debitori, i cili gëzon të drejtën t'i kërkojë furnizuesit kthimin e shumës, që i ka paguar factor-it për një kredi të llogarisë klient, ka, gjithashtu, të drejtë për t'i kërkuar factor-it kthimin e shumës në fjalë, edhe nëse factor-i:

a) nuk ka bërë pagesën, në favor të furnizuesit për kredinë në fjalë;

ose

b) ka bërë pagesën në favor të furnizuesit, për kredinë në fjalë, duke qenë në dijeni për mospërmbushjen, përmbushjen e parregullt a me vonesë, të kontratës së shitjes së sendeve dhe/ose shërbimeve nga furnizuesi.

KAPITULLI IV
KALIMET E NJËPASNJËSHME TË KREDIVE

Neni 22
Factor-i ose subjekti, në favor të të cilit bëhet kalimi

1. Kur furnizuesi i kalon factor-it kredinë e llogarisë klient, nëpërmjet kontratës factoring, në përputhje me këtë ligj:

a) dispozitat e neneve 12 e 20, të këtij ligji, sipas përcaktimeve në shkronjën "b", të këtij neni, zbatohen për çdo kalim të mëtejshëm të kredisë në fjalë te të tretët;
b) dispozitat e neneve 17 e 20, të këtij ligji, zbatohen ndaj subjekteve, të cilëve u kalon, në mënyrë të njëpasnjëshme, kredia në fjalë, njësoj si ndaj factor-it.

2. Për qëllim të këtij ligji, njoftimi i debitorit për kalimin e njëpasnjëshëm vlerësohet, gjithashtu, njoftim për factor-in për këtë kalim.

Neni 23
Ndalimi i kalimit

Kontrata factoring mund të kufizojë ose të ndalojë shitjet apo kalimet e njëpasnjëshme të kredisë së llogarisë klient.

KAPITULLI V

FALIMENTIMI, RIORGANIZIMI DHE LIKUIDIMI

Neni 24
Debitori

Detyrimi i debitorit për t'i paguar factor-it kredinë e llogarisë klient, që i ka kaluar këtij të fundit, kur ndaj debitorit fillon një procedurë falimentimi, riorganizimi ose likuidimi,:

a) vlerësohet dhe trajtohet nga gjykata si një detyrim i pasiguruar;
b) vlerësohet dhe trajtohet nga gjykata si detyrim i siguruar, vetëm nëse
është i siguruar me njërën nga mjetet e sigurimit;
c) vazhdon t'u nënshtrohet të njëjtave të drejta dhe detyrime, të parashikuara në nenet 17 e 18, të këtij ligji.

Neni 25
Factor-i

Factor-i në proces falimentimi, riorganizimi ose likuidimi trajtohet nga gjykata, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi.

KAPITULLI VI

REGJISTRIMI I KALIMIT TË KREDIVE

Neni 26
Regjistrimi i kalimit

Kalimi i kredive të llogarisë klient, nëpërmjet kontratës factoring, çdo ndryshim apo shtesë, si dhe mbarimi i kontratës factoring regjistrohen në regjistrin e barrëve siguruese.

Neni 27
Përmbajtja e regjistrit

Kërkesa për regjistrimin e kalimit të kredisë së llogarisë klient nëpërmjet kontratës factoring përmban:

a) të dhënat për identifikimin e factor-it, të furnizuesit dhe debitorit;
b) identifikimin e çdo kolaterali, që rregullohet nga kontrata factoring;
c) nënshkrimin e personit, që kërkon regjistrimin në regjistër të kontratës factoring, për kalimin e kredive të llogarisë klient.

Neni 28
Çasti dhe përparësia e regjistrimit

Të dhënat e përcaktuara në nenin 27 regjistrohen në regjistër në çastin e paraqitjes së kërkesës për regjistrim dhe kanë përparësi ndaj pretendimeve të të tretëve.

Neni 29
Të dhëna të tjera, të regjistrueshme

Factor-i, furnizuesi ose debitori kërkojnë të shënohet në regjistër ngritja e ndonjë padie, që lidhet me kontratën factoring. Shënimi përmban të dhëna për identifikimin e kërkesëpadisë dhe një përshkrim të shkurtër të saj. Gjithashtu, mund të regjistrohet edhe heqja dorë nga kërkesëpadia apo vendimet e tjera, të lidhura me të.

Neni 30
Efektet e regjistrimit ndaj palëve të tretëve

1. Prezumohet se të tretët kanë dijeni për ekzistencën e kalimeve të regjistruara në regjistër.

2. Të dhënat e regjistruara në regjistër nuk përdoren për të vërtetuar pronësinë, përveç rasteve kur është deklaruar ndryshe, apo për të vërtetuar ndonjë të drejtë tjetër, që lidhet me kalimin e kredive të llogarisë klient, nëpërmjet kontratës factoring, a si provë për vlefshmërinë e një transanksioni ligjor.

KAPITULLI VII

SUBJEKTET, QË KRYEJNË VEPRIMTARI FACTORING

Neni 31
Subjektet, që mund të kryejnë veprimtari factoring

1. Mund të kryejnë veprimtari factoring vetëm subjektet e mëposhtme:

a) Bankat dhe institucionet financiare jobankare, të themeluara sipas legjislacionit në fuqi, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë;
b) Shoqëritë tregtare, që kanë objekt veprimtarinë factoring.

2. Nëse factor-i krijohet në territorin e Republikës së Shqipërisë, ai duhet të jetë një shoqëri tregtare, në përputhje me ligjin nr.7638, datë 19.11.1992, "Për shoqëritë tregtare", me kapital themeltar jo më të vogël se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, i cili të jetë i shlyer me kontribute në para, të paktën deri në shumën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë. Kjo shoqëri nuk mund të ketë objekt tjetër veç veprimtarisë factoring.

KAPITULLI VIII
DISPOZITA TË ZBATUESHME

Neni 32
Bankat

Kur veprimtaria factoring sipas përcaktimit të nenit 2, të këtij ligji, kryhet nga bankat, në përputhje me shkronjën "a", të pikës 1, të nenin 31, të këtij ligji, ajo mbikëqyret dhe rregullohet nga Banka e Shqipërisë.

Neni 33
Institucionet financiare jobankare

Kur veprimtaria factoring, sipas përcaktimit të nenin 2, të këtij ligji, kryhet nga institucionet financiare jobankare, në përputhje me shkronjën "a", të pikës 1, të nenit 31, të këtij ligji, ajo i nënshtrohet legjislacionit përkatës të Republikës së Shqipërisë.

KAPITULLI IX

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

Neni 34
Trajtimi i factoring

Për tatimin mbi vlerën e shtuar shërbimi factoring trajtohet si shërbim financiar.

Neni 35
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

4 - V E N D I M

PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR ARTIN SKENIK"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit "Për artin skenik", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR ARTIN SKENIK

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton parimet e përgjithshme, rregullat e organizimit, të funksionimit, realizimit dhe financimit të artit skenik, si dhe të drejtat e detyrimet e subjekteve, që kanë për objekt veprimtarie artin skenik.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është nxitja, mbështetja dhe zhvillimi i krijimtarisë e i veprimtarisë së subjekteve të artit skenik, për krijimin, ekzekutimin dhe kultivimin e veprave e të gjinive skenike.
Neni 3
Subjektet dhe fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për të gjithë personat, fizikë e juridikë, vendas e të huaj, që ushtrojnë veprimtari në fushën e prodhimit dhe të shfaqjes së veprës artistike skenike në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 4
Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:

a) "Art skenik" kupton përfshirjen e gjinive, të cilat gërshetojnë në strukturën e tyre arte të ndryshme dhe që janë të destinuara, detyrimisht, të shfaqen për publikun në skena, të hapura ose të mbyllura.
b) "Teatër" kupton hapësirën, ku zhvillohet dhe ajo çka ndodh në shfaqje, të gjallë e të drejtpërdrejtë, ndërmjet artistit dhe spektatorit.
c) "Vepër skenike" kupton krijimin e gjallë artistik të një teksti, platforme, partiture a libreti, të përfunduar dhe të mundshëm për tu shfaqur, për së gjalli dhe drejtpërdrejt, në publik.
ç) "Veprimtari skenike" kupton krijimin, prodhimin, ekzekutimin, tregtimin dhe shfrytëzimin e veprës artistike skenike, zhvillimin e vlerave kombëtare, edukimin dhe shërbimet e lidhura me këtë veprimtari.
d) "Artist i skenës" kupton personin, që përcjell te publiku një vepër, e cila është e paracaktuar të komunikojë, për së gjalli dhe drejtpërdrejt, me të.
Janë të tillë edhe bashkëpunëtorët e veprës skenike, që shfaqen në publik.
dh) "Fondi publik i artit skenik" kupton fondin e miratuar në ligjin vjetor të buxhetit, si dhe të ardhurat e tjera, të njohura me ligj, të paracaktuara për financimin e veprimtarisë së artit skenik.
e) "Projekt artistik" kupton çdo ide, të zhvilluar dhe të plotësuar deri në nivelin e shpjegimit të kuptueshëm, duke përfshirë të gjitha elementet e nevojshme për realizimin e saj artistikisht. Projekti artistik mund të jetë i sferës së prodhimit, të edukimit, të promovimit, mund të jetë tradicional ose alternativ, privat ose shtetëror.
ë) "Aplikim" kupton kërkesat e subjektit për financimin nga fondi publik i artit skenik, në mbështetje të legjislacionit në fuqi.
f) "Mbështetje financiare" kupton masën e financimit të një projekti artistik, dhënë një subjekti të caktuar, nga fondi publik i artit skenik.
g) "Sezon artistik" kupton periudhën e kufizuar të kohës, gjatë së cilës përcillet në publik veprimtaria skenike, në vazhdim.
gj) Me subjekt privat të artit skenik kuptohen personat, fizikë ose juridikë, vendas a të huaj, që funskionojnë në mbështetje të ligjeve nr. 7638, datë 19.11.1992, "Për shoqëritë tregtare", dhe nr.8788, datë 7.5.2001, "Për organizatat jofitimprurëse".

KREU II

INSTITUCIONET E ARTIT SKENIK

Neni 5
Ndarja e institucioneve të artit skenik

1. Institucionet e artit skenik janë subjekte, publike dhe private.
2. Institucionet publike të artit skenik ndahen në qendrore dhe vendore.
3. Në institucionet publike qendrore të artit skenik përfshihen:

a) Teatri Kombëtar;
b) Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor;
c) Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë;
ç) Qendra Kombëtare e Artit Skenik.

4. Në insitucionet publike vendore të artit skenik përfshihen institucionet e artit skenik, në varësi të njësisë së qeverisjes vendore.

KREU III

INSTITUCIONET PUBLIKE QENDRORE TE ARTIT SKENIK

Neni 6
Statusi dhe qëllimi i veprimtarisë

1. Institucionet publike qendrore të artit skenik janë persona juridikë, publikë, me statusin e institucionit qendror, në varësi të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

2. Institucionet publike qendrore të artit skenik kanë si qëllim dhe objekt kryesor të veprimtarisë së tyre nxitjen, dhe zhvillimin e artit skenik, si krijimtari shpirtërore e popullit; ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar, nëpërmjet studimit, edukimit, prodhimit, paraqitjes dhe shpërndarjes së veprave skenike; eksperimentimin e formave të reja të shprehjes skenike; realizimin e veprave artistike të autorëve, shqiptarë dhe të huaj, për të gjitha grupet e shtresat sociale; shkëmbimet teatrore ndërkombëtare, turnetë, festivalet, manifestimet intelektuale, riprodhimin audioviziv, dhe botimet.

Neni 7
Drejtimi dhe funksionimi i institucioneve publike qendrore të artit skenik, përveç Qendrës Kombëtare të Artit Skenik

1. Drejtimi dhe funksionimi i institucioneve publike qendrore të artit skenik realizohen në përputhje me dispozitat e këtij ligji, të akteve nënligjore në zbatim të tij, statutit të institucionit, rregullores së bordit artistik dhe rregullores së brendshme të funksionimit.

2. Statuti propozohet nga titullari i institucionit dhe miratohet nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

3. Rregullorja e funksionimit të brendshëm të institucionit të artit skenik miratohet nga titullari, ndërsa rregullorja e bordit artistik miratohet nga vetë bordi, në mbledhjen e parë të tij.

4. Struktura dhe organika e institucioneve publike qendrore të artit skenik miratohen me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

5. Institucioni ka stemën, vulën dhe selinë, të cilat përcaktohen në statut.

Neni 8
Organet drejtuese

Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë, administrative dhe artistike, të institucioneve publike qendrore të artit skenik realizohen nga titullari i institucionit dhe bordi artistik.

Neni 9
Titullari

1. Institucioni publik qendror i artit skenik, sipas nenit 6, drejtohet nga titullari.

Emërimi, lirimi ose shkarkimi i titullarit të institucionit publik qendror bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 10
Bordi artistik

1. Bordi artistik është organizëm kolegjial, pranë institucionit publik qendror të artit skenik. Struktura e bordit dhe mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve përcaktohen në statutin e institucionit. Titullari i institucionit thërret, organizon dhe drejton mbledhjet e bordit artistik.

2. Bordi artistik funksionon në përputhje me ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999, "Për funksionimin e organeve kolegjiale".

3. Anëtarët e bordit artistik janë personalitete të shquara të fushës së artit dhe të veprimtarive shoqërore, që kanë lidhje me të. Anëtarët nuk mund të jenë të punësuar në institucionin pranë të cilit funksionon ky bord. Mandati i tyre është 3-vjeçar, me të drejtë ripërsëritje vetëm një herë.

4. Anëtari i bordit artistik, përpara marrjes së çdo vendimi, është i detyruar të nënshkruajë një deklaratë, me anë të së cilës deklaron se nuk ka konflikt interesi, në kuptim të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", dhe të dispozitave të tjera ligjore, në fuqi.

5. Bordi artistik, si rregull, mblidhet jo më pak se dy herë gjatë një sezoni artistik.

6. Masa e shpërblimit të anëtarëve të bordit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11
Kompetencat e bordit artistik

Bordi artistik i institucionit qendror të artit skenik ka këto detyra:
a. Miraton, në mbledhjen e parë, rregulloren e funksionimit të tij, e cila propozohet nga titullari i institucionit.
b. Vendos repertorin artistik vjetor të institucionit, në përputhje me politikën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
c. Miraton projektet artistike, në përputhje me repertorin e vendosur.
ç. Miraton kriteret dhe kushtet e shpërblimit të vlerës artistike.
d. Miraton paraqitjen ose pjesëmarrjen e institucionit në festivale e manifestime të tjera, duke përcaktuar edhe projektin pjesëmarrës.

Neni 12
Burimet e financimit
Burimet e financimit të institucioneve publike qendrore të artit skenik, përjashtuar Qendrën Kombëtare të Artit Skenik, janë :
a) Buxheti i shtetit:
i) buxheti i shtetit për shpenzimet, operative e administrative, investimet
dhe pajisjet teknike për administratën;
ii) financimi i përftuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për realizimin e repertorit vjetor skenik.
b) Të ardhurat nga administrimi i kapitaleve fizike të tyre, si të arkivave, literaturës etj., dhe nga shitja e biletave.
c) Të ardhurat e siguruara nga shitja e veprave skenike të prodhuara, te të cilat ushtrohen të drejtat, ekonomike dhe tregtare.
ç) Të ardhurat e tjera, të siguruara nga aplikime në burime ligjore financimi për projekte, të ndryshme dhe të veçanta, në përputhje me statutet e tyre.
d) Sponsorizimet dhe donacionet.
dh) Të ardhura të tjera, të ligjshme.
Përdorimi i të ardhurave bëhet në përputhje me aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.
Neni 13
Marrëdhëniet juridike të punës

Marrëdhëniet juridike të punës në institucionin publik qendror të artit skenik rregullohen me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, dhe me statutin e rregulloren e brendshme të institucionit.

Neni 14

Dispozitat e kreut III nuk gjejnë zbatim për Qendrën Kombëtare të Artit Skenik.

KREU IV

QENDRA KOMBËTARE E ARTIT SKENIK,
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

Neni 15
Qendra Kombëtare e Artit Skenik

1. Qendra Kombëtare e Artit Skenik (QKAS) është person juridik, publik, me statusin e institucionit qendror, në varësi të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që ka objekt të veprimtarisë menaxhimin e fondit publik, për mbështetjen financiare të projekteve, të paraqitura nga institucionet publike vendore të artit skenik a nga persona, fizikë a juridikë, privatë, vendas a të huaj, që kanë objekt verpimtarie artin skenik.

2. Struktura dhe organika përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

3. Organizimi dhe funksionimi përcaktohen në statut, i cili propozohet nga kryetari i qendrës dhe miratohet nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 16
Kryetari

QKAS-ja drejtohet nga kryetari, i cili emërohet, lirohet ose shkarkohet, me vendim të Këshillit të Ministrave, pas propozimit të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 17
Kompetencat e kryetarit

Kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit Skenik ka këto kompetenca:
a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e bordit artistik të QKAS-së.
b) Zbaton vendimet e bordit artistik dhe lidh kontratat me subjektet përfituese të fondeve financiare.
c) Përcakton tarifat e aplikimit dhe të regjistrimit të subjekteve të artit skenik.
ç) Përfaqëson institucionin në marrëdhëniet me të tretët.
d) Ushtron kompetencat për drejtimin e veprimtarisë administrativo-ekonomike të QKAS-së dhe të gjitha kompetencat, që nuk i janë dhënë, shprehimisht, bordit artistik.

Neni 18
Bordi artistik i QKAS-së

1. Bordi artistik është organizëm kolegjial pranë QKAS-së dhe funksionon në përputhje me ligjin nr. 8480, datë 27.5.1999, "Për funksionimin e organeve kolegjiale".

2. Bordi artistik përzgjedh dhe klasifikon projektet e artit skenik nga pikëpamja e vlerave, artistike dhe ekonomike.

3. Bordi artistik merr vendime me shumicë të thjeshtë votash (50%+1) të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, të pranishëm në mbledhje.

4. Vendimi i bordit artistik përfshin miratimin e projektit artistik dhe fondin financiar përkatës në të gjitha fushat e artit skenik dhe për të gjithë aplikantët, që kanë të drejtë të përfitojnë fonde, sipas këtij ligji.

5. Bordi artistik mblidhet jo më pak se dy herë në vit.

6. Masa e shpërblimit të anëtarëve të bordit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 19
Përbërja e bordit artistik të QKAS-së

1. Bordi artistik përbëhet nga 5 anëtarë, sipas kësaj strukture:
a. Një anëtar i zgjedhur nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar, jashtë këtij bordi.
b. Një anëtar i zgjedhur nga bordi artistik i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, jashtë këtij bordi.
c. Një anëtar i zgjedhur nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
d. Një përfaqësues i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
e. Një kritik i artit skenik, i zgjedhur nga Akademia e Shkencave.

2. Anëtarët e bordit artistik kanë mandat 3-vjeçar, me të drejtë ripërsëritjeje
vetëm një herë.

3. Anëtarët e bordit artistik janë personalitete të fushës së artit dhe të
veprimtarive të tjera shoqërore, që kanë lidhje me të.
4. Përbërja nominative e bordit propozohet nga kryetari i Qendrës Kombëtare të Artit Skenik dhe miratohet nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 20
Fondi publik i Qendrës Kombëtare të Artit Skenik

Fondi i Qendrës Kombëtare të Artit Skenik është publik, me zë më vete në buxhetin e shtetit. Ky fond publik, për mbështetjen e projekteve të artit skenik, përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik.
Neni 21
Kompetencat e Qendrës Kombëtare të Artit Skenik

Qendra Kombëtare e Artit Skenik ka këto kompetenca:
a) Zbaton politikat shtetërore në fushën e artit skenik, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera, ligjore e nënligjore, në fuqi.
b) Shpall publikisht, në fillim të çdo viti, fondin publik të artit skenik, jo më vonë se një muaj pas përcaktimit me hollësi të buxhetit të shtetit.
c) Bën ndarjen e fondit publik të artit skenik, mbështet dhe financon, plotësisht ose pjesërisht, projekte artistike, të paraqitura nga subjektet publike të artit skenik vendor apo subjektet private të artit skenik.
ç) Paraqet çdo vit kërkesat për mbështetje buxhetore të fondit publik të artit skenik, si dhe mbikëqyr përdorimin e financimeve nga subjektet e mbështetura prej saj.
d) Mbledh, përpunon dhe u shpërndan subjekteve të artit skenik të dhëna të vlefshme në fushat e prodhimit, të edukimit dhe të promovimit të veprimtarisë skenike.
dh) Nxit, bashkëpunon, financon a bashkëfinancon projekte e programe në fushën e edukimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së veprimtarive skenike, kombëtare dhe ndërkombëtare.
e) Regjistron subjektet e artit skenik.
ë)Siguron asistencë teknike, në shërbim të rritjes cilësore dhe të standardizimit të aplikimit të projekteve teatrore.

Neni 22
Burimet e financimit

Burimet e financimit të Qendrës Kombëtare të Artit Skenik janë:
1. Buxheti i shtetit, për financimin e projekteve te artit skenik, për investimet, pajisjet teknike për administratën, si dhe për shpenzimet operative administrative.
2. Të ardhurat nga tarifat për regjistrimin e subjekteve, aplikuese për financim të projekteve të artit skenik.
3. Sponsorizimet dhe donacionet.
4. Të ardhura të tjera, të ligjshme.
Për përdorimin e të ardhurave zbatohen aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.
Neni 23
Kushtet dhe kriteret për gëzimin e së drejtës së aplikimit

1. Institucioni publik vendor i artit skenik, personi, fizik apo juridik, privat, vendas a i huaj, gëzon të drejtën e aplikimit për financim nga fondi publik i artit skenik vetëm pasi është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Artit Skenik.
Kushtet dhe kriteret e aplikimit përcaktohen dhe miratohen me udhëzim të ministrit të Turizmit, të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

2. Subjektet private të artit skenik, të cilat përfitojnë financime nga fondi publik i artit skenik, janë të detyruara të kontraktojnë artistë dhe bashkëpunëtorë, për realizimit e projektit.

3. Shpenzimet administrative të një projekti artistik, të financuar nga fondi publik i artit skenik, nuk duhet të kalojnë 10 për qind të të gjithë vlerës së financimit.

Neni 24
Llojet e financimeve nga Qendra Kombëtare e Artit Skenik

Institucioni publik vendor i artit skenik, personi, fizik apo juridik, privat, vendas a i huaj, gëzon të drejtën të kërkojë nga Qendra Kombëtare e Artit Skenik financim, të pjesshëm ose të plotë, për një projekt skenik afatgjatë, afatmesëm dhe afatshkurtër.

Përcaktimet për këto lloj projektesh parashikohen në rregulloren e brendshme të QKAS-së.

Neni 25
Të drejtat pasurore për veprën e realizuar nga subjekti privat i artit skenik

Pasi ka shlyer detyrimet, që burojnë nga financimi, parashikuar në kontratën me Qendrën Kombëtare të Artit Skenik, subjekti përfitues i fondit, me statusin e institucionit publik vendor të artit skenik, personi fizik apo juridik, privat, vendas a i huaj, gëzon të drejtën, pasurore dhe jopasurore, dhe të përdorimit të lirë të veprës teatrore, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 9380, datë 28.4.2005, "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të".

KREU V

INSTITUCIONET PUBLIKE VENDORE TË ARTIT SKENIK

Neni 26
Institucionet publike vendore të artit skenik dhe statusi i tyre

1. Institucionet publike vendore të artit skenik janë institucione buxhetore, që krijohen ose shndërrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në zbatim të këtij ligji, me nismën, vullnetin e pushtetit vendor dhe janë në varësi të njësisë së pushtetit vendor.

2. Statuti i institucionit publik vendor të artit skenik propozohet nga bordi artistik dhe miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore përkatëse.

3. Përbërja e bordit artistik të institucionit publik vendor miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore. Anëtarët e bordit kanë mandat 3-vjeçar, me të drejtë ripërsëritjeje.

4. Institucioni publik vendor i artit skenik e ka selinë në njësinë administrative vendore.

Neni 27
Burimet e financimit të institucioneve publike vendore të artit skenik

Burimet e financimit të institucionit publik vendore të artit skenik sigurohen nga:

a) buxheti i shtetit për pushtetin vendor, për shpenzimet administrative;
b) buxheti i pushtetit vendor, për kulturën;
c) të ardhurat e siguruara nga projektet fituese në Qendrën Kombëtare të Artit Skenik;
ç) të ardhurat nga shitja e veprës skenike;
d) të ardhurat nga biletat, shërbimet, që institucioni u bën të tretëve;
dh) sponsorizimet e donacionet.
e) të ardhura të tjera, të ligjshme.
Përdorimi i të ardhurave bëhet në përputhje me aktet, ligjore e nënligjore, në fuqi.
Neni 28
Zgjedhja e titullarit

Titullari i institucionit publik vendor të artit skenik emërohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore dhe përzgjidhet ndërmjet dy kandidaturave të propozuara nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore. Procedurat e emërimit të tij përcaktohen në statut, i cili miratohet nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore.

Neni 29
Marrëdhëniet juridike të punës

Marrëdhëniet juridike të punës në institucionin publik vendor të artit skenik rregullohen me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me aktet nënligjore, statutin dhe rregulloren e brendshme.
Neni 30
Teatri metropolitan

1. Me "Teatër metropolitan" kuptohet statusi i veçantë, që i jepet një institucioni publik vendor të artit skenik, në bazë të historikut, vlerave të larta artistike dhe kontributit të dhënë në kulturën kombëtare.
2. Procedurat, kushtet dhe kriteret e dhënies së statusit "Teatër metropolitan" përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VI

SUBJEKTET PRIVATE TË ARTIT SKENIK

Neni 31
Subjektet e artit skenik privat

1. Subjektet e artit skenik privat funksionojnë në mbështetje të ligjeve nr.7638, datë 19.11.1992, "Për shoqëritë tregtare", dhe nr.8788, datë 7.5.2001, "Për organizatat jofitimprurëse".
2. Subjektet e artit skenik privat detyrohen të regjistrohen në QKAS dhe në organet tatimore, në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi, në mënyrë që të përfitojnë financime për projekte private skenike nga fondi publik i artit skenik.

KREU VII
TARIFAT E SHPËRBLIMIT TË CILËSISË ARTISTIKE
Neni 32
Masa dhe kriteret e shpërblimit

1. Masa e shpërblimit të vlerës artistike në artin skenik dhe për kontributin e angazhimit të përkohshëm në projektet kulturore bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Kushtet, kriteret dhe masa e shpërblimit për rezultate të larta, të arritura në konkurrime ndërkombëtare në artin skenik, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VIII

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 33
Teatri Kombëtar për Fëmijë bashkohet me Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve dhe krijohet institucioni publik qendror "Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë".
Neni 34
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit bashkohet me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe krijohet "Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor".
Neni 35
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 9, 10, 16, 18, 30 e 32.

2. Ngarkohet ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojë strukturën dhe organikën e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

3. Ngarkohen këshillat e njësive të qeverisjes vendore, që, brenda 9 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojnë statutin e subjekteve publike vendore të artit skenik.

Neni 36
Shfuqizimet

Ligji nr. 8578, datë 10.2.2000, "Për teatrin", dhe të gjitha aktet nënligjore, që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 37
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

5 - V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KORESË, PËR SHMANGIEN E TATIMEVE TË DYFISHTA, PËR TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN, DHE PËR PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Koresë, për shmangien e tatimeve të dyfishta, për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, dhe për parandalimin e evazionit fiskal", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E KONVENTËS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KORESË, PËR SHMANGIEN E TATIMEVE TË DYFISHTA, PËR TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN, DHE PËR PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Koresë, për shmangien e tatimeve të dyfishta, për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin, dhe për parandalimin e evazionit fiskal.
Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

6 - V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT "PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2004, "PROGRAMI I SEKTORIT TË ENERGJISË",
ME NJË GRANT PREJ 9 000 000 EUROSH"

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2004, "Programi i sektorit të energjisë", me një grant prej 9 000 000 eurosh", për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR 2004, "PROGRAMI I SEKTORIT TË ENERGJISË",
ME NJË GRANT PREJ 9 000 000 EUROSH

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2004, "Programi i sektorit të energjisë", me një grant prej 9 000 000 (nëntë milionë) eurosh.
Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI

7 - V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PLANIT TË VEPRIMIT TË PROGRAMIT KOMBËTAR 2006-2010, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR POPULLSINË (UNFPA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të planit të veprimit të programit kombëtar 2006-2010, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA)

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

8 - V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË KOMUNITETEVE EUROPIANE, PËR PROGRAMIN VJETOR RAJONAL, CARDS 2006, TË ASISTENCËS KOMUNITARE, PËR AUTORITETET, TATIMORE DHE DOGANORE, TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, "Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare", me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për programin vjetor rajonal, CARDS 2006, të asistencës komunitare, për autoritetet, tatimore dhe doganore, të Ballkanit Perëndimor.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

9 - V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË INDUSTRISË MINERARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

7. Miratimin e strategjisë së zhvillimit të industrisë minerare, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

8. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

10- V E N D I M

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE, ZNJ.LINDITAÇALA, PËR STREHIMIN E FAMILJES SË SAJ, NËPËRMJET ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", të pikave 1 e 2, të nenit 4, të ligjit nr.9416, datë 20.5.2005, "Për procedurat e privatizimit të banesave të ndërtuara ose të blera me fondet shtetërore nga Enti Kombëtar i Banesave ", dhe të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien zonjës LinditaÇala të ndihmës financiare, në shumën 3 500 000 (tre milionë e pesëqind mijë) lekë, për lindjen e katërnjakëve dhe për strehimin e familjes së saj, në një banesë, të blerë në tregun e lirë, në qytetin e Tiranës, sipas procedurave të Entit Kombëtar të Banesave.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, të vërë në dispozicion të Entit Kombëtar të Banesave shumën prej 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) lekësh, nga fondet për strehim, e cila do të shlyhet nga përfituesja, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.9416, datë 20.5.2005, " Për procedurat e privatizimit të banesave të ndërtuara ose të blera me fondet shtetërore nga Enti Kombëtar i Banesave ".

4. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

11 - V E N D I M

PËR

LEJIMIN E KOMANDËS SË MBËSHTETJES LOGJISTIKE, TIRANË, TË PËRDORË PROCEDURËN "PROKURIM I DREJTPËRDREJTË", PËR PRODHIMIN E VESHJEVE USHTARAKE, TË ARTIKUJVE PËR FJETJE DHE ATYRE TË SARAÇERISË, PËR NEVOJA TË MINISTRISË SË MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 17, të ligjit nr.7971, datë 26.7.1995, "Për prokurimin publik", të ndryshuar, dhe të nenit 8, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e komandës së mbështetjes logjistike, Tiranë, që, për fondin limit prej 94 878 700 (nëntëdhjetë e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind) lekësh, të përdorë procedurën "Prokurim i drejtpërdrejtë", me Ndërmarrjen e Prodhimit të Veshjeve të Ushtrisë, Tiranë, për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, për prodhimin e:

a) veshjeve ushtarake dhe të artikujve për fjetje, me lëndë të parë të porositësit (komanda e mbështetjes logjistike, Tiranë), sipas pasqyrës "A", që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) artikujve të saraçerisë për mirëmbajtjen e armatimit, sipas pasqyrës "B", që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2006, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ndërmarrja e Prodhimit të Veshjeve të Ushtrisë, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

12 - V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.661, DATË 25.9.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, "PËR KALIMIN E SHËRBIMIT UNIVERSITAR TË ORTOPEDI-TRAUMATOLOGJISË NË VARËSI TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 29, të ligjit nr.8379, datë 29.7.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit në Republikën e Shqipërisë", të neneve 124 e 128, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, "Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë", dhe të nenit 16, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006", me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.661, datë 25.9.2003, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime e shtesa:

a) Në pikën 5, fjalët "… brenda vitit 2005…" zëvendësohen me "… brenda vitit 2009…".

b) Pas pikës 6 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

"Për përballimin e shpenzimeve të tjera operative, për funksionimin e shërbimit të ortopedi-traumatologjisë, Ministrisë së Shëndetësisë, nga buxheti i vitit 2006, zëri "Shpenzime për mallra e shërbime", t'i zbritet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh , i cili të shtohet në buxhetin e vitit 2006, zëri "Shpenzime për mallra e shërbime", miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes. Për vitet e tjera, deri në transferimin e këtij shërbimi nga mjediset e SUQU-së, në buxhetin e çdo viti, që do të miratohet për Ministrinë e Mbrojtjes, zëri "Shpenzime për mallra e shërbime", të parashikohet fondi i nevojshëm për përballimin e shpenzimeve të tjera, për funksionimin e shërbimit të ortopedi-traumatologjisë, përveç parashikimeve për medikamente e materiale mjekimi, të cilat do të parashikohen dhe do të përballohen nga buxheti, që do të miratohet, çdo vit, për Ministrinë e Shëndetësisë.".

2. Ngarkohen ministri i Shëndetësisë, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›