E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, profesionet e lira përjashtohen nga kufiri minimal i TVSH-së



Qeveria ka vendosur që t’i përjashtojë nga trajtimi me TVSH-ë minimale të gjitha profesionet e lira. Në mbledhjen e djeshme Këshilli i Ministrave sipas ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, vendosi që të bëjë disa ndryshime të reja në lidhje me tatimin për këto profesione. Për tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve, të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, mami, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël, i regjistruar, dhe kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, si dhe në veprimtarinë ekonomike në fushën e hotelerisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor, kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në hiqet dhe të gjithë janë subjekte të TVSH-së”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 shkurt 2011.

Ndryshimi
Me një vendim të posaçëm Këshilli i Ministrave ka shtuar dje në listën e subjekteve private që duhet të paguajnë TVSH-ë edhe të gjitha profesionet e lira, të cilat deri tani nuk prekeshin nga kjo pagesë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë bërë disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” duke ia bashkangjitur këto ndryshime edhe ligjit “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në”, me propozimin e ministrit të Financave. Kështu, për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtaritë e ndryshme si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, etj., si dhe vlerësues i pasurisë, do të paguhet TVSH-ja pa kufi minimal. Më parë ky prag ishte në masën 2 milionë lekë në vit. Vendimi i qeverisë i marrë dje gjatë mbledhjes së radhës përcaktonte se: kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) nuk do të jetë më 2 milionë lekë, për vit kalendarik, por si i të gjitha subjekteve të tjera të biznesit. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Përjashtimet
Ndryshim në ligjin për TVSH-në kanë prekur arsimin jopublik i cili është përjashtuar që vitin e kaluar nga pagesa. Kjo gjë i jep këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje më të madhe financiare. Në bazë të vendimit, duke filluar nga 1 tetori i vitit 2011, arsimi privat u përjashtua nga kjo taksë. Vendimi hyri në fuqi në tetor 2010. Heqja e TVSH-së për arsim do të thotë që çdo shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20% më pak.

Buxheti, 34.2 milionë lekë për furnizimin me ujë

Qeveria ka përcaktuar fondet edhe për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të menaxhimit të ujërave të ndotura. Sipas ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dje miratimin e fondit të shpenzimeve, për Entin Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për vitin 2011, në shumën prej 34 245 000 (tridhjetë e katër milionë e dyqind e dyzet e pesë mijë) lekësh, sipas pasqyrës nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi. Qeveria ngarkon Ministrinë e Financave dhe Entin Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për zbatimin e këtij vendimi.

13 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›