E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi-skandal i Apelit që liroi Turgut, trafikantin turk të drogës

23/03/2011  Turqia e Shqipëria s’duhet të ekzekutonin mandat-arrestin e Gjermanisë, s’janë në BE

TIRANE-“Urdhri për arrestimin e super trafikant turk të drogës është urdhër evropian arresti, dhe nuk mund të kryhet në territorin e vendeve që nuk janë pjesë e BE”. Ky ka qenë një nga argumentet kryesorë që Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin e trafikantit turk Abdulselam Turgut, për të cilin drejtësia gjermane kishte lëshuar një mandat arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se ai ka trafikuar në këtë shtet sasi të mëdha heroine dhe opiumi. Ndërkohë që prej datës 6 mars Prokuroria nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e shtetasit turk, çka ka shtuar dyshimet për një arratisje të mundshme të tij. Në vendimin me nr.118 të Gjykatës së Apelit, ku treshja e gjyqtarëve Gjin Gjoni, Agron Papajani dhe Hysni Demiraj, kanë rrëzuar vendimin e shkallës së parë që linte për 40 ditë në burg Turgut, duke i ndryshuar masën e sigurimit në “arrest shtëpie”. I pandehuri në këtë proces mbrohej nga avokatët Ardjan Visha dhe Petrit Serjani, ndërkohë që akuza përfaqësohej nga prokurori Genti Xholi. Sipas argumenteve të zbardhura në vendim, Prokuroria nuk ka pasur origjinalin ose një kopje autotentike të vendimit të dënimit apo të urdhër-arrestit të zbatueshëm në mënyrë të menjëhershme. Gjithashtu në vendim shpjegohen se në dosjen e Prokurorisë mungonte kërkesa me shkrim nga Ministria e Drejtësisë gjermane drejtuar Ministrisë së Drejtësisë shqiptare. Rezulton se i gjithë materiali i administruar në dosje është një komunikim me e-mail që pretendohet se është kryer mes komisariatit të Rinasit dhe Zyrës Kombëtare të Interpolit. Ndërkohë që sipas treshes gjykuese në dosje nuk ekziston asnjë material që tregonte komunikimin mes Zyrës së Interpol Tiranës dhe Zyrës Ndërkombëtare të Interpolit. Në vendim thuhet se: “Urdhri për ndalimin e Abdulselam Turgut është urdhër evropian i arrestit”, çka do të thotë se fushën e zbatimit e ka brenda territorit të Bashkimit Evropian dhe jo tek vendet jashtë këtij territori. Më tej thuhet se në rastin e arrestimit brenda territorit të BE-së, detyrën për të informuar e kanë vetëm shtetet që janë pjesë e këtij unioni. Pra, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, kërkesa i drejtohet vetëm kur ky shtetas kapet brenda territorit të BE-së, dhe jo një shteti jashtë këtij territori dhe aq më pak Shqipërisë. Gjithashtu në vendimin e gjykatës qartësohet se Abdulselam Turgut, duke qenë në arrest ndërkombëtar, ka kaluar disa herë në pikat e kalimit kufitar të Turqisë, por në të gjitha rastet ai nuk është ndaluar. Nisur nga këto rrethana si dhe dokumentacioni i paraqitur nuk është në rrugën ligjore sipas neneve 12 dhe 16 të Konventës Evropiane, por vetëm disa fotokopje të marra nga interneti dhe pa një vendim arresti apo vendim dënimi, Gjykata e Apelit ka çmuar të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” 40 ditur në “arrest shtëpie”. Ndërkohë që në vendim nuk ngarkohen efektiva policie për të kryer shërbim në apartamentin e Turgut, çka e ka favorizuar këtë të fundit të largohet në drejtim të paditur. Me urdhër të Prokurorisë, policia e Tiranës ka filluar kërkimet për lokalizimin e Abdulselam Turgut, por deri tani nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij, çka ka vënë dhe në rrezik bashkëpunim institucional mes shtetit gjerman dhe vendit tonë.

Turqia, asnjë hetim

Dy avokatët mbrojtës të Abdulselam Turgut kanë servirur para Gjykatës së Apelit një shkresë të ardhur nga Turqia, që sipas tyre vërteton se autoritet e këtij shteti s’kanë nisur asnjë hetim ndaj klientit të tyre. Në shkresën e Kryeprokuratës Republikane të Stambollit thuhet se shtetasi turk Abdulselam Turgut, nuk është nën hetim dhe nuk është gjykuar nga drejtësia. Kjo provë duket se ka bindur trupin gjykues që të vendosë lirimin e menjëhershëm të tij dhe caktimin e masës së arrestit shtëpiak. Ndërkohë që në dhënien e vendimit kanë ndikuar dhe disa prova të tjera, të servirura në gjykatë nga mbrojtja.

Rreziku jetësor

Një tjetër faktor që sipas gjykatës ka ndikuar në lirimin e Abdulselam Turgut ka qenë dhe rreziku jetësor i qëndrimit të tij në qeli. Gjykata ka administruar si provë një shkresë me nr 1254 të 15 janarit 2011 ku nga ana e spitalit “Yasam Universal” është arritur në konkluzionin se: “Abdulselam Turgut, është parë e mundur që gjithmonë të përdorë barna dhe gjendet në rrezik jetësor dhe që vuan nga mosmjaftimi i zemrës dhe hiperlipidemia. Në vendim theksohet se i gjithë ky dokumentacion i paraqitur nga ana e palës mbrojtëse e i administruar në dosje është me apostillë në bazë të konventës të Hagës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›