Vendoset pastrimi i zones se Sode PVC-se, projekti kushton 3 milione euro
Vlorë, 3 mars 17:39 NOA – Tre milionë euro do të kushtojë pastrimi dhe rehabilitimi i zonës së ndotur në ish uzinën e Sodë PVC-së në qytetin e Vlorës.
Projekt i Komitetit Evropian për pastrimin e zhivës në këtë zonë është miratuar pas përcaktimit të saj si një nga 9 vendet më të ndotura në Shqipëri.
Pas studimeve të kryera në zonë, për shkallën e ndotjes së terrenit, Banka Botërore tha sot se ajo ka përcaktuar se zona e ish uzinës së Sodë PVC-së, e kthyer tashmë në një pjesë së saj në zonë informale banimi në pritje të legalizimeve dhe në një pjesë së saj me perspektivë zonë industriale, është një nga më të ndoturat në vend, madje në top-listën e zonave të ndotura në shkallë vendi.
Për këtë Banka Botërore ka vënë në dispozicion një fond prej 3 milion eurosh për pastrimin tërësor të zonës nga mbetjet e zhivës.
Pas këtij financimi të sigurt bashkia e Vlorës ka miratuar kërkesën e specialistëve të Komitetit Evropian për të ndërhyrë për pastrimin e zhivës dhe të ambientit të infektuar në këtë zonë.
Projekti parashikon disa stade të punimeve që do të finalizohen me pastrimin tërësor të kësaj zone.
Më parë do të hapet një gropë e madhe, e cila do të shtrohet me një shtresë argjili në fund të saj dhe në parete, pas kësaj do të shtrohet një shtresë plasmasi e trashë me qëllim për të mos lejuar filtrimin e mbetjeve të rrezikshme në tokë apo në det.
Në zonë do të prishen disa nga godinat tashmë të mbetur si skelete, ndërsa inertet do të hidhen në gropën e hapur dhe të izoluar, po ashtu do të largohen nga zona dhe një trashësi dherash dhe mbetjesh me një thellësi prej dy metrash, dhe më pas do të hidhen në gropen e hapur ku dhe do të kryhet izolimi i tyre duke e mbuluar të gjithë gropën duke mbjell mbi të gjelbërim.
Në zonën e pastruar do të hidhet dhe i pastër dhe i shkrifët, dhe e gjithë sipërfaqja do të mbillet me gjelbërim dhe pemë.
Në këtë sipërfaqe nuk do të lejohen të kryhen ndërtime, por do përdoret vetëm për kënde lojërash apo ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore apo artistike, në shërbim të komunitetit.
a.h/NOA