E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosin për hise

Pas dhënies se Aeroportit me koncesion, Qeveria e Kosovës ka hapur dyert për privatizimin edhe të njërës prej ndërmarrjeve me fitimprurëse në Kosovë – Postës dhe Telekomit të Kosovës. Qeveritarët miratuan propozimin e Komitetit Ndërministror, sipas të cilit 75 për qind e aksioneve të PTK`së duhet të shiten, kurse 25 për qind t’u mbesin qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë, për t’u bërë i ekzekutueshëm ky vendim duhet të kalojë në duart e deputeteve për miratim. Kjo sepse Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që shitja e aseteve publike duhet të marrë paraprakisht pëlqimin e shumicës në Kuvend, ndonëse qeveria është aksionari i vetëm i tyre.

Megjithatë, për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dërgimi në Kuvend i kësaj çështjeje ka të bëjë me transparencën.

“Më lejoni të garantoj të gjithë se i gjithë procesi do të jetë fer, i hapur, transparent dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Vendimi përfundimtar për privatizimin e PTK-së do të merret nga Kuvendi”, është shprehur ai.

Vendimi për shitjen e PTK-së vjen pas shumë kritikave nga shoqëria civile për më shumë transparencë. Sado që , për kryeministrin, procesi do të jetë i njohur për të gjithë, ekspertë dhe shoqëria civile mendojnë se duhet të dihet që në fillim sa do të shitet PTK-ja, se çka do të bëhet me punëtorët dhe kushte tjera.

Muhamet Mustafa nga instituti “Riinvest” thotë se Komiteti Ndërministror është dashur të negociojë për më shumë hise të Kosovës në këtë kompani. Të paktën ai thotë se ka mundur të shkohet deri në 35 për qind të aksioneve.

Sipas tij, mungon edhe një ekspertizë me e thukët për privatizimin e saj, pasi Komisioni ka marrë vetëm njërën anë, atë të këshilltarëve të transaksionit.

“Shpresoj kur të shkojë në Kuvend, kjo çështje të diskutohet më shumë, pasi ka munguar debati”, thotë ai.

Mustafa nuk pajtohet as me kohën se kur po shitet PTK`ja. Ai thotë se koha e krizës financiare nuk ka kaluar ende. Sikur të shitej më vonë, sipas tij, vlera e kësaj ndërmarrjeje do të mund të ishte më e lartë.

“Kriza financiare do të ndikojë në çmimin e shitjes”, thotë ai.

Por, kryeministri Thaçi thotë se Kosova është e fundit në rajon që i ka hyrë këtij procesi dhe ka besim të plotë për suksesin e këtij procesi.

“Qytetarët e Kosovës janë 25 për qind aksionarë në këtë kompani. Dua të theksoj se pavarësisht pse jemi të fundit në rajon që i hyjmë këtij procesi të rëndësishëm, kam besim të plotë se do të dalim të suksesshëm plotësisht”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, nuk është shumë e qartë se çka do të bëhet me punëtorët e PTK-së. Vetëm dihet se është formuar Komisioni për privatizimin e kësaj kompanie, që, sipas kryeministrit Thaçi, do t’i adresojë dhe negociojë në mënyrë të përgjithshme kërkesat e punëtorëve.

Në emër të Komisionit Ndërministror, edhe ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka garantuar për një proces transparent dhe ka thënë se i gjithë projekti është mbështetur edhe gjatë negociatave me FMN`në.

“Qëllimi i zotuar i qeverisë, që nëpërmjet një procesi të paanshëm e transparent të tërheqim partnerë të fortë e transparentë, ka qenë objektiv yni kryesor. Kemi analizuar të gjitha aspektet ligjore dhe financiare”, ka thënë Shala.

Megjithatë, rreth çmimit se sa do të shitet PTK`ja nuk jepet asnjë shifër. Bile as për së afërmi nuk jepet ndonjë përcaktim. Ministri Shala, rreth çmimit, kishte ironizuar më herët për “Express” se nuk “beson të ketë ndonjë ekonomist, nëse ka ndjenja profesionalizmi, që mund të marrë guximin profesional dhe të thotë se kaq do të shitet PTK`ja”.

Në këtë pikë, me ministrin Shala pajtohet edhe ekonomisti Mustafa.

“Kjo është një nga rastet e rralla kur ministri ka të drejtë. Pasi nëse qeveria cakton një çmim më të lartë se që është realisht në treg, atëherë kjo do t’i kishte larguar investitorët’, thotë ai.
Ndërkaq, se a do të përfitojë buxheti i Kosovës nga këto kushte të privatizimit, Mustafa thotë se varet se si do të zhvillohet gara dhe varet edhe prej kapaciteteve të qeverisë që këto para t’i destinojë për projekte që rrisin mirëqenien për qytetarin e Kosovës.

“Nëse thuhet se do të shkojnë në autostradë, atëherë duhet të ketë debat rreth kësaj se çka përfitojnë qytetarët”, thekson Mustafa.

Ndryshe, qeveritarët më herët tërthorazi kanë deklaruar se me paratë që do të grumbullohen nga shitja e ndërmarrjeve publike dhe paratë e donacioneve do të dedikohen për ndërtimin e autostradës.

Krejt procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike pritet të kryhet deri në fund të këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›