E Diel, 1 Nëntor 2026

“Veneto Banca Holding” kërkon 75% të aksioneve të Bankës Italiane të Zhvillimit

“Veneto Banca Holding” ka paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë kërkesën për miratimin e transferimit të 75.1 për qind të aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. nga aksionerët Francesco Mariano Mariano dhe Banka Popullore Pulieze tek “Veneto Banca Holding” S.c.p.A., Itali. Ky transaksion konsiston në shitblerje të aksioneve të bankës dhe nënshkrimin e aksioneve të reja, të emetuara që në total përbëjnë 76.83 për qind. Paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues për blerjen e aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Italiane të Zhvillimit sh.a. është bërë në mbështetje të ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe të rregullores “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 71, datë 11.09.2002, të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “Veneto Banca Holding” S.c.p.A. është bankë italiane që ofron shërbime të plota, e regjistruar si shoqëri kooperativë me përgjegjësi të kufizuar, në përputhje me legjislacionin tregtar dhe bankar italian. “Veneto Banca Holding” S.c.p.A. është e autorizuar të kryejë të gjitha veprimtaritë bankare dhe është e regjistruar në regjistrin e bankave dhe në regjistrin e grupeve bankare, të mbajtur nga Banka e Italisë. “Veneto Banca Holding” S.c.p.A. është subjekt mbikëqyrjeje nga Banka e Italisë.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë”.

OSSH largon nga detyra drejtorin e zonës së Elbasanit

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) largoi dje nga detyra drejtorin e zonës së Elbasanit, Artan Topi, për mosrealizim të treguesve të arkëtimeve dhe të uljes së nivelit të humbjeve. Vendimi për shkarkimin nga detyra të Artan Topit, u mor nga drejtori i OSSH-së, Sahit Dollapi, gjatë analizës 11-mujore të zhvilluar dje në qytetin e Pogradecit. Dy ditë më parë u larguan nga detyra edhe drejtori i OSSH-së i zonës së Fierit dhe njësisë Vlorë. Paralajmërim ka marrë dhe drejtori i njësisë së Pogradecit. Qyteti i Korçës është renditur i pari në vendin tonë për realizimin e treguesve të arkëtimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›