Zemërohet Ljungberg

03/02/2005 Mesfushori i Arsenalit, Fredi Ljungberg, nuk ka hezituar aspak për të folur lidhur me atë, çfarë e ka bërë të zemërohet, gjatë takimit me Mançester Junajtid. Suedezi është acaruar së tepërmi, si pasojë e një dyluftimi të ashpër me mbrojtësin francez, Mikael Silvester. Në fakt, konfrontimet dhe presioni më se i pranishëm në takimin e zhvilluar në “Hajbëri Park” dhe duket se Ljungberg e ka përjetuar krejt ndryshe nga të tjerët. Kështu, mbrojtësi francez ishte ndëshkuar me kartonin e kuq, pas ndërhyrjes së parregullt kundrejt Ljungberg, në minutën e 67-të, i cili nuk ishte kuptuar me Denis Bergkamp. Reagimi i ashpër nga ana e Silvester ka lënë me pasoja suedezin, të cilit i është dashur të përballet me dëmtimin e hundës, që i rridhte gjak. Ky ka qenë episodi kryesor që e ka rritur së tepërmi, zemërimin e lojtarit të Arsenalit, i cili ka bërë të ditur se, nuk mund ta imagjinonte dot se si mund të ndodhin sjellje të tilla kaq agresive në fushat e futbollit. “Nuk di se çfarë të them, sepse kam mbetur me gojën hapur, ka thënë Ljungberg. Ai më ka goditur fort me kokë në hundë, duke më shkaktuar rrjedhje gjaku. U zemërova së tepërmi, por u përpoqa që ta mblidhja menjëherë veten. Unë nuk mendoja se të tilla gjëra vazhdojnë t’i përkasin akoma fushës së futbollit. Megjithatë, nuk ishte ndonjë problem i madh, sepse nuk më dhembi aq shumë. Mbi të gjitha, pësova një acarim të jashtëzakonshëm në vetvete. Ne na kishin thënë përpara fillimit të ndeshjes, që duhet të ruanim gjakftohtësinë, pavarësisht nga ato çfarë do të ndodhnin në fushë”.