E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venitet endrra per Flamurtarin humbet 0-2 ndaj Jablonec

Venitet ëndrra për të ndjekur gjurmët e Flamurtarit të madh në kometicionet europiane, pasi Jablonec i jep vlonjatëve dy shuplaka në sfidën e vajtjes për raundin e dytë të Europa Ligë, të luajtur në Vlorë.

Skuadra e Maganit, në fakt, nuk e ka nisur mirë ndeshjen, por është përmirësuar në pjesën e dytë, pikërisht kur është edhe ndëshkuar. Shtylla e Pitak në minutën e 14 tregon limitet e mbrojtjes së Flamurtarit, që e harron sulmuesin të lirë në qendër të zonës.

Vlonjatët e kanë të vështirë të reagojnë, ndërsa miqtë janë më të qartë, dalin disa herë në konkluzion, pa mundur të shënojnë. Trarët e portës i vijnë në ndihmë Moçkës edhe në minutën e '32, kur Lafata futet në zonë godet fort diagonal, por devijimi i Moçkës dhe shtylla i mohojnë golin sulmuesit të përfaqësueses çeke.

Flamurtari e rrit lojën në fundin e pjesës së parë dhe Xhafaj fillon të bëhet i rrezikshëm. Nuk gjen kuadratin në të '44 sulmuesi vlonjat, ndërsa ka mundësinë më të mirë të ndeshjes në të '57. Sulmuesi i lançuar nga Progni del i vetëm përballë portierit, tenton ta kalojë, por kontakti vlerësohet si simulim dhe jo 11 metërsh nga gjyqtari rus. E në momentin më të mirë Jablonec ndëshkon. Pitak gjen të pambuluar Lafatën në minutën e '70.

Nuk e ka të vështirë të mposhtë Moçkën sulmuesi çek dhe nga kjo goditje vlonjatët nuk e marrin më veten. 6 minuta më pas vjen kapitullimi sërisht nga këmbët e Lafatës, që edhe në të '76 është i pambuluar në zonën vlonjate. Me këtë rezultat, kuqezinjtë e Maganit e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të kthejnë rezultatin në Çeki.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›