E Diel, 1 Nëntor 2026

Veprimtaria mendore vonon alzheimerin

Zgjidhja e një fjalëkryqi të thjeshtë mund të jetë e vështirë kur “alzheimeri” ka zënë vend. Por prej kohësh shkencëtarët kanë menduar se kryerja e veprimtarive të ngjashme mendore gjatë gjithë jetës mund të ndihmojë për t'a mbajtur larg këtë sëmundje. Tani një grup shkencëtarësh në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley e ka zhvilluar këtë ide një hap më tej, duke studiuar depozitat e pllakëzave amyloide në tru, të cilat lidhen me “alzheimerin”.
Dr. William Jagust, një nga autorët e studimit thotë se “nuk është vetëm çështja për t'u mbrojtur nga efektet e pllakëzave amyloid, por edhe si të arrijmë të depozitojmë sa më pak prej tyre".
Ekipi i shkencëtarëve studioi historinë e sjelljeve të të moshuarve të shëndetshëm, duke u përqëndruar në çështjen se sa shumë sfida mendore ata kishin patur gjatë dekadave, në çdo fushë , nga leximi rregullisht deri në zgjidhje fjalëkryqesh. Pasi mbodhën këto të dhëna, shkencëtarët filluan të hetojnë trurin e pjesmarrësve në studim.
Rezultati që doli ishte se sa më shumë veprimtari intelektuale a mendore, aq më pak amyloid ata kishin në trurin e tyre.
Doktor, Jerome Goldstein në klinikën kërkimore të Alzheimerit në San Francisko thotë se “nuk ka dyshim që depozitat amyloide janë shenjat më dalluese në trurin e prekur nga Alzheimeri dhe sa më shumë këto depozita shtohen aq më shumë rëndohet gjendja e pacientit”.
Megjithëse shkaku i saktë i humbjes së kujtesës (veçori e alzheimerit) nuk është i qartë vonimi i shfaqjes së sëmundjes mund të jetë kyç nëse kihen parasysh karakteristikat e veçanta të Alzheimerit.
Një aspekt tjetër ende i paqartë për shkencëtarët është "pse gjendja e personave që preken herët në moshë nga Alzheimeri, keqësohet me ritme më të shpejta sesa gjendja e personave që preken më vonë."
Studimi në Berkeley nuk konfirmon se shtimi i veprimtarisë mendore në moshë të vonë do të kishte efekt të ngjashëm në ngadalësimin e akumulimit të pllakëzave amyloide. Shkencëtarët thonë se kanë në plan të kryejnë një tjetër studim të ngjashëm duke përdorur Imazhe me Rezonancë Magnetike (MRI), në përpjekje për të zbuluar lidhjen midis veprimtarisë mendore dhe zhvillimit të pllakëzave amyloide në tru.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›