Vera ambicioze e Marizës
Muzika klasike, e para dashuri e artistes, do të marrë të tjera dimensione gjatë studimeve të saj në Francë këtë vjeshtë. Por ndërsa artistes Mariza Ikonomi do t’i duhet të zhvendoset në qytetin e mrekullueshëm të Nicës ka kohë. Më parë ajo do të sjellë një këngë ‘house’ në bashkëpunim me një dj shqiptar, e më tej të parin koncert recitali Jazz në Tiranë.
Mariza, së pari urime për Masterin. Mund të na tregoni se çfarë drejtimi do të ketë ai?
Faleminderit! Është një Master që unë e fitova në Francë dhe është për muzikën klasike. Ishte diçka e papritur. Thjesht kisha shkuar për pushime në Nicë, dhe aty mora vesh që ishte moment që bëheshin konkurset për master dhe mendova meqë jam përse të mos e provoj. Përfundimi: Fitova dhe jam e kënaqur për këtë.
Pra, do të zhvendoseni në Francë?
Po, në Nicë. Në fakt, nuk është hera e parë që unë shkoj në Nicë, atje shkoj shpesh dhe kam mjaft miq të mi. Kështu që përveç pjesës së Masterit është edhe fakti se vendi është shumë i ngrohtë dhe njerëzit janë ndryshe nga qytetet e tjera të Francës, ku kam qenë.
Muzika klasike do t’ju largojë disi nga muzika e lehtë që bëni, apo jo?
Largim jo. Muzika klasike ka qenë dashuria ime e parë. Unë kam studiuar dhe përfunduar shkollën e lartë për muzikë klasike dhe madje shpesh herë këndoj muzikë klasike, pavarësisht se në skenë nuk e kam bërë këtë. Kështu që kur mora përgjigje pozitive thashë që ‘uauaa, erdhi koha të merrem më seriozisht me muzikën klasike, pasi muzika klasike është mjaft e bukur, është ajo që të çon në sublimitet, klasikja është klasike e nuk ka të krahasuar. Edhe kur e dëgjoj, edhe kur këndoj, më jep një ndjesi komplet ndryshe nga çdo zhanër tjetër muzikor.
Me këtë zhvendosje do të largoheni edhe pak nga ekrani, apo do të gjeni një mënyrë për t’i balancuar?
Nuk e di këtë që tani. Por unë në fakt jam larguar. Kam kohë që nuk kam dalë, ndoshta për shkak se e shoh shumë të ngarkuar tregun shqiptar e aq më tepër disa gjëra që i kam ezauruar nuk dua t’u rikthehem përsëri. Kam nevojë për të bërë gjëra që dua, për të bërë gjëra me nivel, gjëra profesionale dhe gjëra që mbushin shpirtin e njeriut, jo thjesht këngë për një stinë. Sigurisht edhe ato janë pjesë e jetës dhe të karrierës muzikore, por që në këtë moment nuk i shoh si alternativat e mia më të mira. Mendoj se është momenti të bëj disa gjëra që më pëlqejnë mua.
Pra, Masteri është edhe një mënyrë për t’u larguar disi nga realiteti muzikor shqiptar?
Po. Një distancë për momentin nga muzika shqiptare, ndjej se e kam të nevojshme. Unë jam mërzitur disi, pasi këtu e kemi thënë shpesh që nuk funksionojnë kontratat, shtëpitë diskografike, producentët, menaxherët, çdo gjë duhet ta bësh vetë, duhet të paguash për të bërë një produksion nga fillimi në fund, gjë që nuk më duket normale. Prandaj them që të paguash gjithë ato lekë për një këngë nuk ia vlen, dhe është më mirë t’i investosh për të ardhmen, për muzikën time, e jo për një moment a një delir a një klip, që nuk i dihet nëse do t’i rezistojë kohës apo jo. Kështu që më vjen keq që gjithë atë investim që ke bërë për veten tënde të mos merret në konsideratë. Unë kam investuar shumë dhe kam marrë nga ky investim, por kur bëj analizën shoh se më tepër kam investuar unë sesa më ka dhënë ky vend.
Është i kushtueshëm Masteri?
Është pak. Është pak, por gjërat e rëndësishme gjithmonë kushtojnë.
Keni filluar të mësoni gjuhën dhe sa njohëse jeni e kulturës franceze?
Patjetër! Pas intervistës, së bashku kam mësim gjuhe frënge (qesh). Përsa i përket kulturës franceze, unë edhe kur nuk kam ditur asnjë gjë për muzikën franceze, më ka pëlqyer gjithmonë kultura franceze, që nga gjuha që më duket shumë delikate, mjaft sensuale. Më tej, ndërsa njihesha dhe mësoja rreth Francës, nuk mund të shmangia e të mos dashurohesha dhe unë si kushdo me emrat botërorë të Edith Piaf, Mireille Mathieu etj.
Familja si e ka pritur faktin që do të largoheni, Mariza?
Ata sigurisht që nuk tregojnë gjë, por do të jenë mërzitur ndopak. Po e rëndësishme është kur gjërat janë për mirë edhe ata kënaqen.
Faktin që do të studioni në Francë, e shihni edhe si një oportunitet për të hyrë në muzikën internacionale?
Sigurisht që atje nuk do të jem vetëm për Masterin, por edhe për të parë mundësitë për të gjetur hapësira ku unë do të këndoj. Kam folur me disa njerëz dhe me një band, që e njoha gjatë konkurrimit në Master, me të cilën unë të bëj muzikë dhe atje.
Ndërkaq Mariza, keni përgatitur edhe një këngë mesa di…
Jam duke e përgatitur në fakt. Është një këngë me një dj shumë të njohur në Shqipëri, Endri Dj. Kam dëgjuar një material të tij që më ka pëlqyer shumë, kemi bërë edhe vijën melodike dhe mendoj që këto ditë do të futemi në studio për incizim, e pastaj të realizojmë edhe klipin për ta lançuar më tej. Është një muzikë me tendenca ‘house’, por ka profesionalitet brenda.
Është një këngë për verën, apo edhe për të pasur diçka në treg gjatë mungesës tënde?
Është një gjë që ka për të ngelur. Jam e sigurt, sepse vërtet ka ritëm për verë, por unë nuk jam tip që i bëj gjërat me idenë një sezon, unë edhe në jetën e përditshme dua t’i bëj gjërat me themel të fortë, që edhe të zgjasin. Edhe muzikën që bëj e mendoj që ajo të jetë jetëgjatë. Kështu që mendoj se edhe kjo këngë do të jetë për çdo stinë (qesh)!
Në planet tuaja është edhe një koncert recital, Mariza?
Po kam kohë që po merrem me të dhe në muajin tetor është vendosur realizimi i tij. Do të vazhdoj t’i qëndroj planit që do të jetë një koncert me muzikë Jazz, që është një nga dashuritë e mia, kështu që do bëhet. Tashmë është çdo gjë gati, thjesht presim që njerëzit të kthehen nga pushimet dhe të bëjmë diçka të bukur dhe që nuk është bërë më parë në Shqipëri.