E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vera dhe rrëzimi i monumentit të diktatorit më dhanë emrin e artistit

19/03/2010 Piktori Anastas Kostandini, artist i merituar rrëfen momentet kyçe të jetës dhe punës së tij

POGRADEC- “Vera dhe rrëzimi i monumentit të diktatorit Hoxha më dhanë emrin e artistit”. Me këto fjalë e nis rrëfimin e vet, artisti i merituar Anastas Kostandini nga qyteti i Pogradecit. Nuk është dhe aq e çuditshme. Tek një gotë verë dhe tek një rrëzim diktatori gjen gjithnjë diçka të përbashkët. Ndoshta mes tyre qëndron dhe fjala artist. Megjithatë, kuptimin e dy fjalëve “verë” dhe “diktator” na i shpjegon vetë piktori Anastas Kostandini, i njohur ndryshe me emrin “Taso”. Ishte 20 shkurt i vitit 1991, vijon rrëfimin e vet piktori Taso. Po e ndiqja direkt nga televizori rrëzimin e monumentit të diktatorit. Turma që kishte dalë në shesh, që në orët e para të mëngjesit, herë i afrohej diktatorit dhe herë i largohej. Ishte një përleshje e vërtetë. Nuk e di pse, por mora një gotë verë dhe e vendosa mbi tavolinë. Pastaj mora një letër dhe nisa të vizatoja. Dora më dridhej nga emocionet. Isha i sigurt që monumenti do të rrëzohej. Doja që atë çast ta fiksoja me dorën time. Në çdo sekondë mbi vizatimin tim shtohej një vijë, një detaj, një ide, një… Nuk di çfarë të them. Ajo që po më dilte mbi letër ishte një përbindësh. Turma ishte afruar te monumenti. E lidhën me kavo, filluan ta tërhiqnin me një makinë. Monumenti lëkundej, por nuk rrëzohej. Megjithatë, e dija që ai do të shtrihej përtokë. Çasti erdhi. Grafika ime ishte gati, në përfundim e sipër, ndoshta donte edhe një vijë të hollë dhe asgjë më shumë. Ai u mënjanua dhe ra nga krahu i Muzeut Kombëtar. Nuk di pse atë çast desha që të rrëzohej edhe mozaiku që qëndronte në ballë të fasadës së asaj ndërtese. Nuk di pse atë çast rrëkëlleva një gllënjkë verë. Vera ose kishte qenë një ndjesi e fshehur në qenien time, ose që nga ai çast do të bëhej pjesë e pandarë e pikturave të mia. Ndihesha i lumturuar”.

Mozaiku i Muzeut Kombëtar

“Ndoshta ju nuk e dini, por unë kam qenë njëri prej autorëve që punuan për atë mozaik. Nuk ishte e lehtë të punoje atje”,… tregon Taso. “Punova dy vjet e gjysmë së bashku me profesor Vilson Kilicën, Josif Drobonikun, Agim Mediun dhe Aleksandër Filipin. Në të vërtetë ka qenë tërësisht një histori paradoksale. Imagjino, mozaiku po realizohej në kohën kur Mehmet Shehu kishte vrarë veten, kur Shqipëria kishte hyrë në një krizë të thellë ekonomike, politike, morale, psikologjike… Ndërsa ata kërkonin ende madhështi. Ishte një vepër “e madhe”, tërësisht e survejuar. Ne vetëm po e ekzekutonim, sigurisht që ishim dhe krijues, por gjithçka ishte nën kontroll të rreptë. Çdo javë na vinin njerëzit e byrosë politike. Ata na zgjodhën neve që të realizonim mozaikun, sepse ne nuk kishim studiuar jashtë shtetit, ishim më pak të ndikuar nga rrymat. Ata dëshironin të kishin një vepër që të ishte tërësisht origjinale e realizmit socialist. Kërkonin origjinalitetin e çmendur të asaj kohe. Ne vinim nga inkubatori socialist; ne ishim një farë garancie për ta, por thellë-thellë ne e ndjenim se çfarë ishim duke bërë. Të gjitha këto po më kujtoheshin ato çaste, kur monumentit të diktatorit i ishte vënë litari në fyt. Më në fund ai ishte rrëzuar. Më në fund e kisha një grafikë të ëndërruar aq shumë, prej vitesh”. Por çfarë u bë vallë me atë grafikë?

Grafika e diktatorit

“Ishte një grafikë që u kompozua atë çast, tregon Taso, të cilën së pari e ekspozova në fillim të vitit 1992 në qytetin e Pogradecit dhe po atë vit edhe në qytetin e Korçës. Të them të drejtën nuk e pata të lehtë. Kishte shumë njerëz që nuk e pranonin, shanin. Pata shumë probleme, por unë ndihesha i kënaqur. Gjithçka e kisha realizuar mbi frymën e Françesko Gojës. E kishin këtë lloj energjie, pikturat denonconin, satirizonin, byronë politike, rrethimin me tela, madhështinë false të regjimit, burgjet… Njerëzit e diktatorit vazhdonin të më shanin, por ndihesha i lumturuar, sepse ata nuk ishin të zot të më burgosnin, të më internonin a ku di unë se çfarë. Koha e tyre kishte perënduar. Nga ajo ekspozitë ruaj shumë pak punë. Turistët që kishin filluar të vinin në Shqipëri dhe veçanërisht gjermanët, pothuajse m’i blenë të gjitha. Për herë të parë ndjeva kënaqësinë e artit tim. Kur isha në vit të tretë, në Akademinë e Arteve, në vitin 1973, edhe pse isha student i shkëlqyer, më përjashtuan nga shkolla, sepse njëra prej pikturave të mia u konsiderua, ekspresioniste, kubiste, dekadente, reaksionare, borgjeze, nxirëse e realitet socialist etj, etj. Megjithatë, munda të rikthehem në shkollë pas një viti. Me përfundimin e studimeve në Akademinë e Arteve studiova për kritik dhe studiues arti, por tashmë gjithnjë do të përpiqesha të isha i kujdesshëm me artin socialist. Kjo ishte një brengë e madhe. Në vitet 1985 filluam të kërkojmë rrugë të tjera në tablotë tona. Kërkonim gjëra më personale, më intime, pikturonim më shumë peizazhin, portretin etj. Në këtë kohë nisa të pikturoj Lasgush Poradecin, një seri pikturash me skena të jetës së përditshme. Gjithë përpjekja e jonë ishte si të dilnim nga madhështia e rreme dhe kjo ishte gati e pamundur dhe e rrezikshme. Gjithnjë dëshiroja të shkoja, qoftë edhe një herë të vetme jashtë shtetit, por kjo gjë as që mund të mendohej. Tashmë është tejet ndryshe. Një nga strofkullat e mia më të dashura mbetet Holanda, piktura e shek. XVI-XVII-XVII, ata janë mjeshtrit e mëdhenj të penelit. Ata ditën të pikturojnë gëzimin e jetës së vogël. Kaq do të desha të bëja edhe unë. Kjo do të ishte vera ime, dehja e njerëzve që duan artin tim”.

Vera në pikturat e Tasos

Pak ditë më parë, pikturat me temën e verës i ekspozova në Tiranë me rastin e prezantimit të verërave italiane. Mendoj se çova atje misterin e qilarëve të verës, të aromës, shijes, dehjes, frymëzimit, arratisjes në ëndrra më të bukura, aventurës, traditës së saj. “Verërat janë frymëzimi im, sepse më takojnë me fëmijërinë, sepse më pëlqen të pikturoj atë që quhet saga e jetës së vogël, por që është kaq e madhërishme”. Vetëm për temën e verës, deri më tani kam 25 piktura. Poezia e verës është e njohur në të gjithë botën. Gjithkush e di, që edhe po të mos jesh poet, nëse rrëkëllen dy gota verë, fillon e ndihesh mirë, bëhesh poet, artist, fluturues, je i lumtur. Gjithmonë kam dashur të arratisem, por sigurisht është e vështirë…, por gjithnjë besoj se ia kam mbërritur. Dëshiroj të bëj pikturën time… Tashmë kam çelur mjaft ekspozita, por grafika e rrëzimit të diktatorit është një kujtim mjaft i mirë për mua. Ai ra dhe Shqipërisë iu hapën udhët.

Ekspozitat

Megjithatë, tregon Taso, ruaj kujtime të bukura edhe për ekspozitën e vitit 1998, organizuar nga fondacioni “Veliaj”. Edhe në atë ekspozitë u blenë pothuajse gjithë punët e mia. Mund të veçoj gjithashtu ekspozitën e hapur në Ohër, në Dortmund, në Kishën e Shën Mërisë, në Gutenberg, në Godrej të Holandës ose në Boston te Kisha Shën Gjergji, etj. Kam mbetur i befasuar, kur u gjenda në Holandë. Atje më prezantuan me një familje që kishte dekoruar gjithë vilën e saj me 35 piktura të mijat. Nuk e di as sot e kësaj dite se si kishte mundur t’i siguronte ato. Në Boston, një shqiptaro-amerikane më vuri në dispozicion shtëpinë e saj për të ekspozuar pikturat e mia, por nuk ishte vetëm kjo befasia. Asaj familjeje iu desh të hiqte mbi 40 piktura të miat, që të ekspozoheshin të tjerat. Kjo gjë më ka bërë të ndihem i lumtur dhe i pasur njëkohësisht. Jam i pasur, sepse kam çfarë t’u jap njerëzve që edhe ata të ndihen të tillë. Njerëzit e kanë mundur varfërinë time me lumturinë e tyre. Tashmë numëroj më shumë se 2500 piktura. Dikur dëshiroja të shkoja jashtë shtetit, tashmë shkoj shpesh deri në Paris për t’i parë atje ku kanë ndodhur të gjitha këto. Megjithatë, tashmë kam një mendim tjetër për rrymat. Rrymat janë ekspertiza të vogla. Do ta krahasoja me dentistin, i cili merret me dhëmbët, me okulistin, që merret me sytë. Unë dëshiroj të jem një mjek i përgjithshëm, mbi të gjitha më pëlqen të njoh funksionimin e jetës, të bëj një art të madh. Mund të them se nuk kam pasur ndonjë akses që të jem ndihmuar apo të jem bërë përfaqësuese i vendit tim në kuptimin institucional, por gjithmonë, edhe kur kam qenë jashtë vendit, në radhë të parë kam përfaqësuar veten time, por në të njëjtën kohë dhe në çdo çast kam ndjerë përgjegjësinë që unë nuk jam vetëm vetvetja, por edhe një pjesë e vendit ku jetoj. Përmes hapësirave artistike, piktoreske kam dhënë përgjigje se kush është vendi tim, dhe kam marrë emocione pozitive”. Tashmë jam i bindur se vera dhe rrëzimi i monumentit të diktatorit më lejuan të prezantoj talentin tim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›