E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zef Shoshi, retrospektivë në GKA

19/03/2010 Një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve. Piktori Zef Shoshi vjen sot para publikut me veprat e tij më të mira, në ekspozitën që do të qëndrojë e çelur deri më 9 prill. Piktori Shoshi është një artist i njohur për publikun shqiptar. Ai është pjesë e piktorëve të njohur të realizmit socialist: Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Ksenofon Dilo, Vilson Kilica, Guri Madhi, Fatmir Haxhiu, Danish Jukniu, Ismail Lulani etj. Shoshi ka kryer Liceun Artistik “Jordan Misja”,Tiranë (1952-1956) në klasën e piktorëve Sadik Kaceli, Abdulla Cangonji dhe Kel Kodheli, ndërsa studimet e larta i kreu në Shën Petërburg (1957-1961) në atelienë e prof. Joganson në atë kohë President i Akademisë së Arteve (Moskë). Pas studimeve Shoshi e mbrojti diplomën në Tiranë në Institutin e Lartë të Arteve, punoi si ilustrator për disa vjet në shtëpinë botuese “Naim Frasheri” dhe “8 Nëntori” (1965-1974) dhe gjatë viteve 1974-1993 ishte piktor në profesion të lirë.

Ekspozon për herë të parë në publik në vitin 1956 me tri punime, ndër të cilat edhe portreti “Gjyshja”, (GKA, Tiranë). Në vazhdimësi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare me tablo kompozicionale brenda tematikës së realizmit socialist. Ndër tablotë e njohura të kësaj periudhe mund të kujtojmë “Krijimi kooperativës në malësi” (1974), “Gju me gju me popullin” (1976), “Bisedë për tokën – Helmës 1944” (1977), “Kuvendi i Lezhës” (1978), “Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës” (1982) etj. Piktori Zhoshi ka trajtuar edhe portretin kushtuar figurave politike, historike, të familjareve të tij, të kulturës shqiptare dhe njerëzve të thjeshtë: “Portreti i shokut Mao Ce Dun” (1975) “Portreti i shokut Enver” (1974), “Pashko Vasa” (1978), “Avni Rustemi”, (GA, Pogradec), “Shkrimtari Shefqet Musaraj” (1976), “Vajza fshatare”(1976), “Gjimnazistja”(1973), “Malësorja e vogël” (1975), “Nëna Matildë”(1979). “Ismail Qemali” (1982, GA,Vlorë) etj. Ekspozita e piktorit Shoshi do të shpalosë krijimtarinë e tij me vepra retrospektive, duke filluar me autoportretin e vitit 1955, me një grup veprash të periudhës së Akademisë në Rusi dhe duke vazhduar me vepra të periudhës së mbas studimeve (1960-1989 (gjithsej 27 vepra), me një koleksion veprash nga periudha 20-vjeçare (1989-2009) gjithsej 35 vepra dhe me 2 veprat e tij të realizuar në vitin 2010 (“Pashuku” dhe “Vajza me strajcë”). Piktori Shoshi shpalos në këtë ekspozitë stilin e tij piktorik të dallueshëm, të konsoliduar në vite, ku prioritet marrin ngjyra e ngjeshur dhe drita diellore. Motivet kryesore të artistit në këtë ekspozitë (kompozimet e tij) janë ato historike dhe tema e fshatit, kryesisht nga zona e Zadrimës, ku ai është inspiruar në realizimin e dhjetëra e dhjetëra portreteve e kompozimeve figurale. Punimet e viteve 2003 – 2010 ekspozohen për herë të parë për publikun. Artisti, veç të tjerash, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Ekspozitën e parë vetjake në GKA piktori e ka çelur në vitin 2002. Në ekspozitën e vitit 2010 janë paraqitur edhe 12 vepra nga koleksioni i GKA-së.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›