Veriu i Kosovës, KFOR-i marrëveshje me Serbinë

KFOR-i njofton se ka arritur marrëveshje me përfaqësues të qeverisë së Serbisë, por që mund të implementohet gjatë ditëve në vijim. Sipas një komunikate të KFOR-it thuhet se komandanti i KFOR-it, Gjenerali Erhard Buhler, shefi i ekipit negociator, Borislav Stefanoviç dhe Ministri Goran Bogdanoviç, sot më 3 Gusht 2011 në mbrëmje, kanë shkëmbyer për herë të dytë pikëpamjet mbi situatën e tanishme në veri të Kosovës dhe diskutuan për mënyrën e zgjidhjes së problemeve atje. Pas takimit që u mbajt në kampin e KFOR-it Nothing Hill, ata zhvilluan dhe hartuan një marrëveshje.
Marrëveshja:
Në portën 1 (vendkalimi kufitar në Jarinje) dhe portën 31 (vendkalimi kufitar në Bernjak) sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të muajit Shtator 2011. Nëse është e nevojshme, kjo kornizë kohore mund të zgjatet. KFOR-i mban komandën dhe kontrollin në kalimet kufitare.
Veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe kontrollit për armë.
Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.
Për bisedimet, Komandanti i KFOR-it ka pasur autoritetin e plotë e të gjitha institucioneve të përfshira. Kryenegociatori Borislav Stefanoviç dhe ministri Goran Bogdanoviç do ta koordinojnë marrëveshjen me Presidentin e Serbisë dhe autoritetet e tjera të përfshira nga pala serbe.