E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vershojne lumenjte KESH hap portat

Emergjenca Rikthehen shkarkimet e mëdha. Vau i Dejës derdh 980 metra kub në sekondë në Nënshkodër

Pavarësisht menaxhimit të situatës, KESH e ka të pamundur të ruajë nivelin e ujit në liqenin e Fierzës pa hapur portat e shkarkimit. Vërshimi i lumenjve nga të katër anët kanë detyruar autoritetet kompetente të nisin shkarkimin e ujit nga të tre hidrocentralet kryesore në Veri të vendit, duke rrezikuar përmbytje të zonave përreth.

Nga të dhënat zyrtare nga KESH-i, të publikuara dje pasdite, duket se niveli i ujit në Fierzë po rritet me të paktën 3 centimetra në çdo një orë. Niveli i Fierzës ka arritur në 284.49, ndërsa prurjet regjistrojnë një kuotë prej 1100 metër kub në sekondë. Deri nga mesdita, KESH nuk kishte vendosur ende për të hapur portat e hidrocentralit të Fierzës, po rritja e saj pas orës 15:30, detyroi korporatën të niste shkarkimin e ujit në masën e 400 metër kub në sekondë.

Natyrisht që hapja e portave në Fierzë rrit presionin e dy hidrocentraleve të tjera që shtrohen përgjatë lumit Drin. Kështu HEC-i i Komanit regjistron një nivel uji prej 171.52 metrash mbi nivelin e detit, me prurje rreth 958 metër kub uji në sekondë, kurse shkarkimet janë 924 metër kub në sekondë.

Lidhur me HEC-in fundor të Vaut të Dejës, shkarkimet e të cilit japin ndikim në fryrjen e lumit Buna që shtrohet përgjatë Shkodrës, niveli i tij kishte arritur në 73.27 metra, kurse prurjet 1130 metër kub në sekondë. Në këto kushte, shkarkimet nga ky hidrocentral janë në masën 980 metër kub ujë në sekondë.

Drejtuesit e KESH-it deklarojnë se janë përpjekur të mbajnë nën kontroll kaskadën e Drinit, pavarësisht prurjeve të larta.

Sakaq, niveli i lartë i reshjeve dhe i prurjeve të lumenjve në hidrocentrale kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike në vend. KESH raporton për një prodhim energjie të arritur në masën e rreth 29 milionë kilovat. Në këtë situatë, KESH është duke përfituar me eksportet, niveli i të cilave ka shkuar në rreth 10 milionë e 500 mijë kilovat. Reshjet e shumta kanë stabilizuar disi arkën e KESH-it, e cila siguroi për 2010-n rreth 90 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›