E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vërshojnë të rinjtë në Akademinë e Shkencave

Autori i Lajmit: red.
“Sipas vendimit të Akademisë së Shkencave, ata që të 75-at i "mbyllën" brenda Akademisë së Shkencave, që prej ditës së djeshme do ta gëzojnë titullin akademik jashtë këtij institucioni. Ky është ligji i ri, i miratuar në Parlament, i cili u mor për bazë në zgjedhjet e ditës së djeshme”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpalli dje emrat e 20 anëtarëve më të rinj të saj, të cilët u përzgjodhën me votim të fshehtë mes 83 aplikantëve, nga një komision i posaçëm prej 9 anëtarësh. Emrat e anëtarëve të rinj të Akademisë së Shkencave u shpallën dje në një konferencë për shtyp nga Gudar Beqiraj kryetar i komisionit përzgjedhës dhe anëtar i rregullt i kësaj akademie. Në këtë konferencë ishte i pranishëm dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku. Por ky vendim ka hasur në kundërshtime të shumta. Sipas vendimit të Akademisë së Shkencave, ata që të 75-at i "mbyllën" brenda Akademisë së Shkencave, që prej ditës së djeshme do ta gëzojnë titullin akademik jashtë këtij institucioni. Ky është ligji i ri, i miratuar në Parlament, i cili u mor për bazë në zgjedhjet e ditës së djeshme. Mes atyre që largohen ka personalitete të njohura si Shaban Demiraj, Hamit Beqja, Kristo Frashëri, Arben Puto, Luan Omari, Ylli Popa, Jorgo Bulo, Andromaqi Gjergji, Alfred Uçi, Farudin Hoxha, etj. Edhe shkrimtari Dritëro Agolli është një prej tyre. Agolli e ka kundërshtuar këtë procedurë. Ai pranon se në këtë institucion nuk u është lënë hapësirë forcave të reja duke e vjetruar Akademinë. Por nga ana tjetër shprehet se kjo është një fyerje për akademikët që i kanë kaluar 75 vite jetë, puna e të cilëve nuk llogaritet me moshën. Ligji i ri i Akademisë së Shkencave i cili përjashton të vjetrit është kundërshtuar fort edhe nga opozita. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Pëllumb Xhufi ka kërkuar që ligji të jetë i barabartë për të gjithë dhe nuk është diskriminues. “Ky ligj ose ky amendim fut elementin e diskriminimit, për sa kohë që në Asamblenë e Akademisë së Shkencave do të lejohet që këtej e tutje të futen edhe persona që nuk kanë atributet e kërkuara nga vetë ligji”, - ka thënë ai. Sipas tij, ndryshimet në ligj diskriminojnë me dhjetëra e qindra studiues shqiptarë që posedojnë titujt dhe atributet për të qenë anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe krijohen kushtet për persona të tjerë, që mjafton të kenë gradën “doktor i shkencave” apo PHD, të cilët punojnë edhe në institucionet shkencore jashtë shtetit. Xhufi ka pohuar se ligji mund të jetë diskriminues dhe ndaj të huajve. “Ne duam që Akademia e Shkencave dhe Asambleja e saj të jetë një institucion elitar dhe anëtarët e Akademisë të jenë kryetarë shkollash shkencore, pra të jenë personalitete të njohura, me kontribute. Nuk duam që të diskriminojmë të gjithë ata shkencëtarë shqiptarë që me sakrificë e me mund i janë përkushtuar shkencës shqiptare dhe studentëve shqiptarë”, - ka deklaruar ai.

Anëtarët e rinj
Në fushën e Gjuhë-Letërsisë: Prof. Floresha Dado, Prof. Kolec Topalli dhe Prof. Bahri Beci
Në fushën e Histori-Arkeologji-Gjeografi: Prof. Apollon Baçe, Prof. Beqir Meta, Prof. Muzafer Korkuti
Në fushën e Antropologjisë: Prof. Albert Doja
Në fushën Filozofi-Sociologji-Ekonomi-Drejtësi: Prof. Artan Fuga
Në fushën Art-Shkenca: Prof. Vaso Tole
Në fushën Matematikë-Informatikë: Prof. Neki Frashëri
Në fushën Kimi-Fizikë: Prof. Flora Vila, Prof. Arben Merkoçi
Në fushën e Shkenca-Mjekësore: Prof. Adnan Kastrati, Prof. Bashkim Resuli, Prof. Besim Elezi
Në fushën e Shkencave-Inxhinierike: Prof. Jorgaq Kaçani, Prof. Salvatore Bushati
Në fushën Shkenca Bujqësore-Ekologjike-Biologjike: Prof. Jani Vangjeli
Personalitete të shquara të krijimtarisë letraro-artistike: Fatos Kongoli dhe Xhevahir Spahiu.
Ky lajm është publikuar: 29/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›