E Diel, 1 Nëntor 2026

Veshkat, brenda marsit transplanti i dytë në Itali nga mjekët shqiptarë

• Një tjetër transplant veshke do të kryhet nga mjekët shqiptarë në muajin mars. Këtë bën me dije Bardh Spahia, drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht edhe pjesë e stafit të kirurgëve që realizuan operacionin.“Në sajë të  programit INTERREG III, pas transplantit të parë, të cilit iu nënshtrua një pacient 23-vjeçar nga Kamza, është vendosur që në datën 3 mars të niset për në Bari (Itali) çifti i dytë i pacientëve, ku dhe do të kryejnë analizat e kompatibilitetit”, sqaroi Spahia. Ai shtoi gjithashtu se, projekti ka ecur më së miri deri tani, duke hedhur një hap përpara në plotësimin e standardeve të Bashkimit Evropian në shëndetësinë shqiptare. “Ky projekt, i cili përkon edhe me objektivat e qeverisë, është cilësuar edhe nga pala italiane si një nga më të suksesshmit i vënë në jetë në vendin tonë. E gjitha kjo është në shërbim të pacientëve shqiptarë, të cilët shumë shpejt do të kenë mundësi të kryejnë transplantin në vendin e tyre”, theksoi Saphia. Sipas tij, suksesi më i madh i këtij projekti qëndron përtej faktit të kryerjes së një procedure kirurgjikale. Arritjet kryesore të tij lidhen kryesisht në rritjen e standardeve të strukturave shëndetësore shqiptare, si dhe trajnimit të stafit mjekësor. “Jemi optimistë për zhvendosjen e shpejtë të këtyre ndërhyrjeve në sallat operative shqiptare. Tashmë në spitalin “Nënë Tereza” Laboratori Imunologjik është kompletuar, ndërsa salla operative po vjen drejt përfundimit”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›