Vështirë edhe për Beogradin

Bashkimi Europian ende nuk ka saktësuar asgjë rreth bisedimeve Kosovë – Serbi. Një ditë pas takimit të Baroneshës Ashton me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic, Brukseli ka lëshuar një njoftim për media, ku për këtë proces është folur me terma të përgjithshëm.
Aty nuk është përmendur ndonjë afat për vazhdimin e bisedimeve, po ashtu nuk është përmendur se cilat do të jenë temat që do të diskutoheshin, sikurse as kush do të përfaqësojë palët në këtë proces.
Sido që të jetë, në njoftimin për media thuhet se Ashton ka inkurajuar shefin e shtetit serb për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Ajo ka inkurajuar Serbinë që të ndërmarrë hapa të dukshëm dhe të qëndrueshëm për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, që janë thelbësorë për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe në përgjithësi për perspektivën europiane të Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE’së.
Sipas BE’së, Ashton me Nikolicin ka biseduar për vazhdimin dhe intensifikimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ashton ka theksuar nevojën që Serbia të angazhohet fuqishëm në këto bisedime si dhe ka inkurajuar Presidentin Nikolic që të jetë i gatshëm për disa vendime të vështira”.
Brukseli ka mirëpritur progresin e arritur së fundmi në implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut duke thënë se pret që implementimi të jetë i plotë dhe pa vonesa.
Po ashtu, Ashton ka kërkuar nga Serbia që të bëjë progres në agjendën e saj europiane.
Ashton dhe Nikolic janë takuar të enjten në New York. Pas këtij takimi, ka folur vetëm Presidenti i Serbisë, i cili ka thënë se bisedimet do të ndërmjetësohen nga Ashtoni duke theksuar se edhe vendi i tij do të përfaqësohet në nivel të lartë. Por sipas tij, për këtë duhet të marrë një vendim Qeveria e Serbisë.
Shefi i Qeverisë serbe, Ivica Dacic ka qenë më direkt gjatë një prononcimi për media, duke thënë se aktualisht as Brukseli nuk ka vizion të qartë për procesin e bisedimeve.
Ndryshe gjatë javës Ashton ka takuar edhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilën po ashtu ka folur për dialogun Kosovë –Serbi.
Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, edhe nga Kryeministri i Kosovës ka thënë se gjatë këtij procesi duhen të merren po ashtu vendime të vështira.