E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy vëllezër në grevë urie që prej së mërkurës

22/09/2009  Fushë-Krujë, pretendojnë se janë dënuar padrejtësisht nga gjykata për vrasje

TIRANË – Anton dhe Agron Markaj, dy vëllezër nga Shkodra, janë duke vuajtur dënimin në burgun e Fushë- Krujës. Që prej ditës së mërkurë të dy vëllezërit janë futur në grevë urie. Lajmin e konfirmojnë drejtuesit e burgut të Fushë- Krujës, të cilët kanë marrë kontakte me të dënuarit dhe kanë dijeni për arsyen e fillimit të saj. Sipas të dhënave të marra nga ky burg, bëhet e ditur se dy vëllezërit janë futur në grevë urie për të kundërshtuar vendimin e gjykatave që nga ajo e shkallës së parë dhe deri në Gjykatën e Lartë. Deri tani ata nuk kanë pranuar të marrin ushqimet e burgut, por as ato që kanë sjellë familjarët. Janë shprehur se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën deri në marrjen e një përgjigje dhe rifillimit të gjykimit për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Grevës së dy vëllezërve i është bashkuar edhe Tonin Caku me të njëjtën arsye. Vëllezërit Markaj janë dënuar nga gjykata me nga 22 vjet burg, pasi janë shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes me paramendim. Vrasja është kryer që në vitin 1998 në fshatin Ças të Velipojës. Gjelosh Ftoni është personi që kanë vrarë dy vëllezërit sipas vendimit të gjykatës. Por ata e kundërshtojnë këtë vendim edhe pse ka disa vite që është shpallur, madje ka marr dhe formë të prerë. Dy vëllezërit, Anton e Agron Markaj, përkatësisht 30 dhe

28-vjeç, u ndaluan nga policia që në gusht të vitit 2003, pasi ata dyshoheshin si autorë të disa veprave penale. Në atë kohë ata ishin dënuar nga gjykata me nga 10 dhe 13 vjet burg për vjedhje me armë dhe policia kishte dështuar disa herë në operacionet për arrestimin e tyre. Madje në operacionin e prangosjes së dy vëllezërve në vitin 2003 u angazhuan dhe forca të FNSH-së, që u mbështetën nga një blind. Në mars të vitit 2006 ka nisur procesi gjyqësor për vrasjen e Gjelosh Ftonit. Ndërsa janë dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë në vitin 2008.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›