E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëhelmohet me pesticid 46-vjeçarja

25/01/2009  Shkaku, depresioni

ELBASAN- Një 46-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me pesticid. E. Çela, me banim në fshatin Katund i Ri në Elbasan, është gjetur pasditen e së shtunës nga bashkëshorti i saj në fund të jetës, pasi kishte konsumuar helmin e fortë. Gruaja, nënë e dy fëmijëve, është transportuar me shpejtësi drejt spitalit, por nuk ka mundur të mbijetojë dhe rrugës për në spital ka gjetur vdekjen. Mësohet se në vendin e ngjarjes ka mbërritur një grup hetimor, i cili po kryen veprimet e para. Sipas të dhënave, nëna e dy djemve ka bërë këtë veprim në një gjendje depresive. Shkaku ende nuk është bërë i ditur nga policia. Ndërkohë mësohet se policia ka marrë në pyetje familjarët për të mësuar mbi shkaqet që e çuan drejt vetëhelmimit nënën e dy fëmijëve, e cila nuk ka hezituar të konsumojë pesticid. Gruaja 46-vjeçare është një nga viktimat e shumta të vetëhelmimit gjatë vitit që sapo ka hyrë. Në të shumtën e rasteve policia raporton se të vetëvrarit kanë vuajtur më parë apo kanë kaluar së fundi gjendje depresioni. Vetëm gjatë vitit që shkoi në disa raste janë arrestuar disa persona si shkaktarë të vetëvrasjes, të cilët nëpërmjet dhunës i kanë detyruar të afërmit e tyre të heqin dorë nga jeta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›