Veteranët e Shkodrës: Dëshmorët po vriten përsëri
Dita e Dëshmorëve është përkujtuar dje në të gjitha qytetet e Shqipërisë duke bashkuar në shumë raste përfaqësues të forcave politike që sot janë në kulmin e konfliktit. Por me gjithë mesazhet pozitive, dita e përkujtimit të dëshmorëve ka risjellë në vëmendje ndarjet, që më shumë se kudo vërehen në Shkodër.
Veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare të Shkodrës reaguan ashpër dje, kur panë se edhe këtë 5 Maj, varrezat e dëshmorëve ishin mbuluar nga tymi i fushës së plehrave që i rrethon.
Kryetari i Veteranëve të Shkodrës, Qamil Llazani, tha se “Kjo situatë është e pafalshme. Këtu prehen ata që dhanë jetën për Shqipërinë dhe sot ashtu si dhe vitet e tjera, 5 Maji i gjen të mbuluara nga mbeturinat dhe tymi varrezat e dëshmorëve. është shumë e çuditshme se si një vend të trajtojë në këtë mënyrë dëshmorët sikur të ishin pushtues”. Sipas Llazanit, indiferenca e strukturave shtetërore shihet edhe në mungesën e autoriteteve në ceremonitë përkujtimore. “As klerikët fetarë nuk kanë qenë të pranishëm sot. çdo njeri i sinqertë mund të komentojë shumë mirë këtë situatë absurde, të çuditshme, të pamoralshme dhe të turpshme", tha Llazani. Në lidhje me situatën e krijuar te varrezat e dëshmorëve kanë reaguar dhe përfaqësues të Partisë Socialiste. Varrezat e dëshmorëve në Shkodër janë rrethuar prej vitesh nga plehrat, pasi bashkia ka vendosur që aty të jetë vendgrumbullimi i mbeturinave të qytetit. Aty ku sot prehen: Migjeni, Ndre Mjeda, Pashko Vasa, Vojo Kushi, Manush Alimani e shumë e shumë të tjerë, është një mal me mbeturina, që digjen çdo ditë.
Ndërkohë, në Durrës, politika e ka nderuar e bashkuar kujtimin e atyre që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi. Veteranë, drejtues të pushtetit vendor e qendror në Durrës, si dhe deputetë demokratë e socialistë kanë bërë homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve, duke revokuar veprën heroike të dëshmorëve dhe heronjve. Kurora dhe buqeta me lule u vendosën aty ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri, ndërsa pjesëmarrësit në ceremoninë e përvitshme të homazheve parakaluan para pllakave ku prehen eshtrat e tyre.
Edhe në Fier 5 Maji i ka bashkuar pas shumë kohësh përfaqësues të forcave politike të majta dhe të djathta.
Drejtuesit e dy selive politike në Fier socialiste edhe demokratike, përfaqësues të lartë të pushtetit vendor dhe deputetë të të dy krahëve kanë bërë homazhe në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të organizuar në varrezat e dëshmorëve të Fierit.
Dita e dëshmorëve u përkujtua me një numër aktivitetesh edhe në Kukës. Në aktivitetet e organizuara nga veteranët, morën pjesë autoritetet vendore dhe rajonale. Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve ku prehen eshtrat e 84 dëshmorëve të Brigadës 24 partizane të Kukësit dhe dëshmorë të tjerë të luftës së pavarësisë, veteranët, autoritetet vendore dhe partitë politike kanë zhvilluar vizita në familjet e dëshmorëve. Por në këtë pikë kanë qenë të ndarë si zakonisht, pozita dhe opozita.
#