Drejt fundit gjyqi për vrasjen e nënës së Lul Cakës
është drejt fundit procesi gjyqësor i tre autorëve të vrasjes së nënës së Lul Cakës. Gjyqi ka nisur më 1 qershor të vitit 2009, ndërkohë që tre autorët e vënë nën akuzën e “vrasjes me paramendim për gjakmarrje të kryer në bashkëpunim” janë: Fatmir Emini, Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri. Ndërkohë që vetëm një nga tre autorët është në pranga. Bëhet fjalë për Fatmir Eminin, i njohur ndryshe si “Mile çami”. Ky është arrestuar në datën 24 dhjetor të vitit 2008, për vrasjen e Loshit të Karbunarës. Ka qenë policia e Lushnjës ajo që zbardhi dhe faktoi autorësinë e vrasjes së ndodhur gjatë vitit 1997 në qytetin e Lushnjës. Për këtë vepër penale, Milja është dënuar me 25 vjet burg. Ndërkohë që e njëjta masë dënimi për të është dhënë edhe për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Halo, vendim ky i dhënë vetëm pak javë më parë. Dyshohet se këtë vrasje Milja e ka kryer në bashkëpunim me një nga autorët me të cilët ekzekutoi edhe nënën e Lul Cakës, Bledar Yzeirin, i cili mësohet se është arrestuar në Belgjikë. Gjyqi për vrasjen e nënës së Lul Cakës ka nisur vetëm pak muaj pas nisjes së procesit gjyqësor për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit. Gjyqtar i çështjes është Alfred Konomi, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohet nga prokurori çlirim Sino. Prokurori i ngjarjes në fjalë është po i njëjti që ka zbardhur edhe vrasjen e Loshit të Karbunarës dhe ndërtuesit Gjergji Halo. Procesi për vrasjen e nënës së Lul Cakës sipas drejtuesve të Gjykatës së Fierit është drejt fundit të tij. Në një nga seancat e radhës së zhvilluar të mërkurën, Fatmir Emini ka munguar. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë mbrojtur me dy avokatë të Dhomës së Avokatisë Vlorë. Ngjarja për të cilën po gjykohet “Mile çami” ka ndodhur më 1 korrik të vitit 1999, pikërisht pas oborrit të hyrjes kryesore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, atje ku familjarët bënin takim me të afërmit e tyre të paraburgosur. Ka qenë një makinë e tipit “Mercedez Benz” që ka ndaluar pranë nënës së kapobandës së Beratit dhe prej andej kanë dalë dy persona që kanë rrëmbyer me forcë 56-vjeçaren Xhevrije Caka, për ta çuar më pas në pyllin e Semanit. Aty autorët Fatmir Emini, Artan dhe Bledar Yzeiri e kanë përdhunuar, masakruar dhe hedhur në një kanal të vdekur. Që në momentet e para të kësaj vrasjeje makabre, policia dyshoi si autorë personat që janë sot në gjykim. Kjo, pasi armiqësia e Fatmir Eminit me Lul Cakën dhe djalin e tezes së tij, Bujar Hoxhën, të njohur si Loshi i Karbunarës, ishte fakt i njohur.
#