Kapen me 110 kg drogë vëllezërit mirditorë
Sekuestrohen në dalje të Fierit rreth 110 kg kanabis sativa, ndërkohë që në prangat e policisë kanë rënë dy vëllezër mirditorë. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje, rreth orës 02:15, nga ana e Sektorit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, u finalizua me sukses operacioni antidrogë i koduar “Jaguari”. Ndërkohë që saktësohet se është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i vëllezërve Gjin dhe Adrian Marku, përkatësisht 29 dhe 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamëz, Tiranë.
Të njëjtat burime saktësojnë se ndalimi i tyre është bërë në rrugën nacionale Fier-Vlorë, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, me automjetin tip “AUDI A3”, me ngjyrë të gri, me targa EN56BZD. Nga kontrolli i mjetit, në bagazhin e tij u gjet dhe u bllokua një sasi prej rreth 109.619 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Mësohet se lënda narkotike ishte e ndarë në 99 pako plastmasi të mbështjella me letër natriban. Pakot ishin të vendosura në pesë çanta të zeza. Ndërkohë mësohet se operacioni ka qenë tepër i fshehtë dhe policia e Fierit është njoftuar për operacionin e koduar “Jaguari” në momentin e finalizimit të aksionit.
Në momentin kur makina me të cilën po lëviznin dy vëllezërit Gjin dhe Ardian Marku ishte duke u futur në territorin e Fierit, është dhënë urdhër që uniformat blu të Fierit të ndërhynin për të bërë të mundur bllokimin e tyre. Postblloku është ngritur në dalje të qytetit, përgjatë rrugës drejt Vlorës, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës. Në këtë vend është rrethuar makina me drogë, e cila ndiqej nga pas prej agjentëve të Krimeve të Rënda në Tiranë. Fillimisht dy të arrestuarit janë çuar në mjediset e policisë së Fierit. Aty janë bërë procedurat e para të hetimit dhe më pas ata janë dërguar drejt Tiranës, ku do të vijojë ndjekja e hetimeve.
Edhe pse jozyrtare, burime nga Antidroga e Fierit bëjnë të ditur se ekziston dyshimi se vëllezërit Marku e kanë siguruar drogën në Qarkun e Fierit. Ata janë nisur nga Tirana paraditen e së mërkurës, kanë ndaluar pak në Kamëz, ku dhe banojnë dhe më pas kanë marrë rrugën drejt Vlorës. Burime policore thonë se finalizimi i aksionit u krye në Fier, pasi edhe këtu u sigurua “lënda” e parë e tregtisë së paligjshme të tyre. Megjithatë hetimet e mëtejshme do të tregojnë lidhjet e trafikantëve të arrestuar.
Mësohet se Gjin dhe Ardian Marku kanë të njohur dhe miq në Fier, të cilët i kanë takuar për disa momente gjatë kalimit transit nëpër këtë qytet. Ndërkohë mësohet se në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar edhe automjetin tip “AUDI A3” me targë EN56BZD, me të cilin transportohej droga, katër aparate celulari, si dhe dokumente të ndryshme. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprime të mëtejshme hetimore. Ndaj dy vëllezërve rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
#