"Vetëvendosja" përkujton dy aktivistët e vrarë në shkurt 2007

Lëvizja “Vetëvendosje” ka përkujtuar dy aktivistët e saj, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, të vrarë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 nga policët rumun të UNMIK-ut. Tre vjet pas protestës, lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, kritikon ashpër Kombet e Bashkuara për mos dënimin e autorëve të kësaj ngjarjeje ndërkohë prindërit e Xheladinit dhe Balajt kërkojnë që përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
“Tre vite më vonë, nuk ka ende drejtësi për atë krim mizor, për më keq,
vazhdojnë padrejtësitë sidomos kundër familjarëve të cilëve kompensimin
material në mënyrë të paskrupullt ju kushtëzohet me heqjen dorë nga
ndjekja penale e UNMIK-ut. Dhe kështu me kalimin e kohës që të gjithë
këta po bëhen bashkëpunëtorë në një krim që ka pasur për qëllim heshtjen
e opozitës politike në Kosovë dhe shkatërrimin e të gjithë atyre të
cilët kërkojnë liri dhe vetëvendosje për popullin e Kosovës”, u shpreh
Albin Kurti, Drejtues i Lëvizjes “Vetëvendosje”.
“E vërteta është që edhe pas 3 viteve nuk është bërë asgjë, por si duket
nuk ekziston vullneti i mirë nga ana e UN-it dhe EULEX-it që ta qesin
këtë punë në shesh, por dëshirojnë t’i fshehin gjurmët e këqija”, tha
Shaban Xheladini, i Ati i Arben Xheladinit.
“UNMIK-u vetëm po e zvarritë procedurat, nuk dëshiron të merret me to.
Kemi pasur 2-3 takime me ata, kështu që dëshirojnë që t’i ikin
drejtësisë, drejtësi për ata nuk ekziston. Ne do të vazhdojmë tutje që
të kërkojmë drejtësi kudo që ndodhet ajo”, tha Kadri Balaj, i Ati i Mon
Balajt.
“Amnesty International” ka reaguar ndaj vonesës për vënien para
drejtësisë të përgjegjësve për këto dy vrasje dhe plagosjen e dhjetra
aktivistëve të tjerëve të lëvizjes “Vetëvendosje” në protestën e 10
shkurtit të vitit 2007.
Shkëlzen Osmani