E Diel, 1 Nëntor 2026

Veton Surroi negociator? Është takuar me Topin

Ndërhyrja Mediat e Prishtinës bëjnë të ditur lajmin për politikanin

Del në skenë mundësia e negocimit mes Berishës dhe Ramës, nëpërmjet personalitetit të njohur nga Kosova, Veton Surroi. Disa media të Prishtinës kanë bërë të ditur dje se publicisti i njohur është ftuar të kontribuojë në zgjidhjen e situatës. Portali “Telegraf” bëri të ditur se Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, po ndërmjetëson për ta zgjidhur krizën në Shqipëri. Surroi, gjatë së hënës është takuar me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, ndërkohë që pritet të takojë edhe dy palët e politikës shqiptare, atë të PD-së dhe PS-së. Mediat e Prishtinës bëjnë të ditur që opozita, deputetët e së cilës janë në grevë urie, ka pranuar që Surroi të ndërmjetësojë për ta gjetur një zgjidhje, ndërkohë që Partia Demokratike ende nuk ka dhënë pëlqimin që publicisti i njohur të jetë ndërmjetësues. Ndërkaq, një televizion i Prishtinës ka kontaktuar në telefon me ish-kreun e lëvizjes “Ora”, por z.Surroi nuk ka dashur të komentojë për iniciativën që ka ndërmarrë. Nuk është hera e parë që personalitete nga politika apo shoqëria e Kosovës ndërhyjnë mes palëve, duke pasur parasysh edhe njohjet e ndërsjella që kanë në politikën shqiptare. Veton Surroi, i cili për disa vite ka qenë një politikan aktiv, tani vazhdon që të jetë aktiv, por jo në politikë, por në media si publicist, si dhe në shoqërinë civile. Z.Surroi mbetet një nga figurat më të respektuara shqiptare, i cili shpesh ka qenë një referim te ndërkombëtarët për zhvillimet në Kosovë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›