E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikin emigrantët, radhë të gjata në Kapshticë

Kapshticë, 30 gusht, NOA Fluksi i emigrantëve shqiptarë të cilët kthehen pas pushimeve në Shqipëri drejt vendit fqinj, Greqisë, duket se ka krijuar probleme të mëdha ditën e sotme në pikën kufitare të Kapshticës.

Radhë të gjata emigrantësh që presin të kthehen në shtetin grek kanë shoqëruar gjatë të gjitha orëve punën në sportelet e saj, kjo edhe për shkak të ndërprerjes së punës për rreth 2 orë nga ana e doganës greke.

Korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA bën me dijeni se kanë qenë rreth 200 automjete të cilat kanë ndenjur në radhë në pritje të përpunimit të dokumentave, ndërsa kjo situatë ka krijuar shumë acarim tek shqiptarët që rrinin në radhë të gjata dhe prisnin.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se pas dy orësh ndërprerje të punës së saj, dogana greke ka rifilluar punën me vetëm 2 sportele.
n.e/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›