Vetvarja e 17-vjeçarit i rikthehet hetimeve
Pas dy vitesh këmbëngulje të familjes, është rikthyer për hetime të mëtejshme çështja e vdekjes së gjimazistit 17-vjeçar nga Bilishti. Ka qenë Gjykata e Apelit të Korçës, e cila ka vendosur ditën e sotme, prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila vdekjen e 17-vjeçarit Hajçe e klasifikoi si vetëvrasje duke i kërkuar Prokurorisë së Korçës rihapjen e hetimeve. Prindërtit e 17-vjeçarit Mikel Hajçe, i cili u gjet i varur në një pemë në shkurt të vitit 2008, pas njoftimit se ishte përjashtuar nga shkolla, kanë kërkuar zhvarrosjen e kufomës së djalit të tyre, me pretendimin se nuk është vetëvarur, por është vrarë. Sipas prindërve 17-vjeçari nuk kishte shenja në qafë, tipike për vetëvarjet dhe madje ata pretendojnë se kufomës së 17-vjeçarit i mungonin edhe organet genitale. Nga ana e akuzës është kërkuar të merren në pyetje dëshmitarë të tjerë të cilët kanë dijeni për çastet e fundit të jetës së gjimnazistit si edhe drejtuesit e shkollës. Sipas prokurores së çështjes, për të zbardhur shkaqet e vdekjes së Hajçes, është e nevojshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore nga ana e Prokurorisë. Relatorja e trupit gjykues Entela Prifti ka pranuar pretendimet e prindërve dhe argumentat e akuzës, duke vendosur kthimin e çështjes pranë prokurorisë, për të hetuar edhe një herë shkaqet dhe rrethanat që çuan në vdekjen e gjimnazistit.