E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhguesit - OSBE/ODIHR: Zgjedhjet i plotësuan standardet

Një përfaqësi e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve që u mbajtën të dielën e 28 qershorit në Shqipëri, e përbërë nga krerët e misioneve afatshkurtra dhe afatgjata të OSBE/ODIHR-it, të delegacionit të Këshillit të Evropës dhe të delegacionit të NATO-s, paraqitën sot bashkërisht gjatë një konference për shtyp në Tiranë një përmbledhje të gjetjeve të realizuara nga vëzhgimet e tyre në këto zgjedhje. 

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet e së dielës shënuan progres të qartë drejt standardeve të bashkësisë evropiano-perëndimore, sidomos në hartimin e regjistrit kombëtar të votuesve dhe përdorimin e letërnjoftimeve elektronike, për herë të parë në një proces zgjedhor të zhvilluar në vend. Ata gjithashtu theksuan përmirësimet e arritura në infrastrukturën ligjore të përgatitjes dhe mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.

Vëzhguesit po ashtu deklaruan se ditën e zgjedhjeve mbizotëroi qetësia dhe paqja, një atmosferë e përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Nga ana tjetër, ata u shprehën se në procesin e votimit, megjithë përmirësimet e ndjeshme, u vërejtën mangësi sa i takon disa procedurave dhe standardeve, siç ishin mungesa e përkohshme e bojës në disa qendra votimi, apo votimi i lejuar familjar përkundër thirrjeve dhe rekomandimeve kundër kësaj praktike jo të standardeve perëndimore.

Përfaqësia e vëzhguesve po ashtu deklaroi se këto deklarime paraprake ishin ende të parakohshme, sa i takon faktit që një pjesë e rëndësishme e procedimit elektoral, numërimi i votave dhe nxjerrja e rezultateve të zgjedhjeve, është në proces e sipër dhe ende nuk ka përfunduar.

"Vendi është pjekur, ka bërë progres, dhe shumë prej frikërave që kishim vetëm disa muaj më parë," u shpreh Volfgang Grosruku, zv.president i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe koordinator special i misionit të vëzhguesve afatshkurtër në këto zgjedhje, "nuk u materializuan. Jam i lumtur për progresin që vumë re," vazhdoi më tej ai. Por, deklaroi Grosruk, janë ende një numër çështjesh që duhen trajtuar, "sidomos klima e polarizuar politike," tha ai.

"Këto zgjedhje demonstruan se populli shqiptar ka gjithë potencialin për të ndërtuar një shoqëri demokratike si ato në vendet e tjera evropiane," deklaroi Korin Jonkeri, shefe e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që mori pjesë në këto vëzhgime. "Autoritetet dhe figurat kryesore politike kanë tani përgjegjësi të madhe për të punuar fort për të ngulitur tek qytetarët besimin për një proces zgjedhor demokratik," shtoi ajo.

"Raporti ynë shfaq si zhvillime pozitive, ashtu edhe negative në administrimin e këtyre zgjedhjeve," deklaroi Brus Xhorxhi, shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në këto zgjedhje. "Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, është bërë progres, sidoqoftë duhen përpjekje edhe më të mëdha nga të gjitha forcat politike për të përmbushur kërkesat e standardeve ndërkombëtare," tha më tej ai.

Ligji i ri zgjedhor, "i arritur me marrëveshjen e të dyja partive kryesore politike, ndërfuti një numër përmirësimesh dhe masash mbrojtëse të rëndësishme, veçanërisht lidhur me regjistrimin e votuesve dhe identifikimin e tyre," deklaroi ambasadorja Odri Glover, shefe e misionit të vëzhguesve afatgjatë të misionit të OSBE/ODIHR-it të zgjedhjeve në Shqipëri".

Përfaqësia e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve çmoi arritjet e bëra nga ana e institucioneve shqiptare drejt përmbushjes së standardeve perëndimore në këto zgjedhje të përgjithshme dhe bëri thirrje, nga ana tjetër, që të shtohet puna dhe vullneti i të gjitha palëve dhe institucioneve pjesëmarrëse në to për përmbylljen e procesit zgjedhor në një atmosferë demokratike e në frymën e kërkesave ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›